Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi i ka dërguar Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore disa rekomandime të pjesshme për ndryshime të kuadrit ligjor.
Kështu, Komisioni i Zgjedhjeve rekomandon që të konsiderohen ndryshime të Kodit Zgjedhor rreth mënyrës së organizimit të qendrave të votimit, të komisioneve zonale të administrimit zgjedhor si dhe të grupeve të numërimit.
KQZ thekson se qëllimi është që të paktën në aspektin formalo-teknik të kemi një admimistrim më të mirë të procesit zgjedhor nga komisionet e niveleve të dyta dhe të treta.
Ndryshime rekomandohen edhe për rregullat për financimin e fushatës zgjedhore. Më konkretisht, KQZ rekomandon që të përcaktohen rregulla për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në median online, në rrjetet sociale dhe në median e shkruar.
Të përcaktohen rregulla në lidhje me financimin dhe fushatën e subjeketeve të identifikuara si palë të treta.
Sa i përket përdorimit të aseteve publike dhe fushatës nga funksionarët politikë, KQZ rekomandon që të përcaktohet në mënyrë shteruese çfarë mund të jetë e ndaluar për funksionarët publikë në kuadër të fushatës zgjedhore si dhe mekanizmat për verifikimin nga KQZ mbi përdorimin e aseteve publike dhe veprimtarinë e institucioneve publike.
Kryekomisioneri Celibashi vlerëson se ka edhe shumë çështje të tjera që duhet të adresohen, në përputhje me konstatimet dhe rekomandimet e Raportit Final të OSBE-ODIHR për zgjedhjet 2019-2021.
“Organet drejtuese të KQZ-së dhe anëtarësia kanë vlerësimet dhe rekomandimet përkatëse, të cilat nëse e vlerësoni jemi të gatshëm t’i prezantojmë para jush,” thuhet më tej në shkresë. /abcnews.al/
/e.d