Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka mbrëmjen e djeshme hodhi akuza të forta në drejtim të ish-kryedemokratit Lulzim Basha dhe deputetit demokrat, Gazment Bardhi. Noka u shpreh se ata bënin sikur sulmonin oligarkët, por u vendosin gjoba dhe merrnin para prej tyre. Sipas tij, me ardhjen në krye të Sali Berishës, Partia Demokratike ka sulmuar çdo aferë korruptive.
Sot një përgjigje ndaj Nokës ka ardhur nga Gazment Bardhi i cili thekson se Flamur Noka po keqpërdoret nga opozita e rreme. Bardhi shton se Noka gënjen dhe shpif ndaj tij, pasi sipas tij vetë Noka fshihet dhe merr para nga oligarkët. Bardhi madje ka shpërthyer në akuza ndaj Nokës, duke thënë se fsheh një vilë 760 mijë euroshe në Gjirin e Lazit.
Reagimi i Bardhit:
Një përgjigje e detyruar për Flamurin e keqpërdorur të opozitës së rreme
Shumë miq më thonë të mos e marr seriozisht Flamur Nokën për shpifjet që shpërndan herë pas here. Por nuk do të hesht më pas serialit të ri të shpifjeve, të nisur ditët e fundit ndaj meje dhe disa kolegëve të tjerë. Ndryshe prej tij, ne nuk kemi ngritur flamurin e opozitarizmit të rremë. Kur denoncojmë korrupsionin dhe paligjshmërinë nuk selektojmë në “tanët” dhe “të tyret”.
E kuptoj që kjo e shqetëson Flamur Nokën, prandaj ka gjetur një shpifje të re ndaj meje, duke më akuzuar se denoncoj oligarkët për t’u vendosur gjoba atyre!!!
Le t’i marrim me radhë dhe e nisim nga denoncimi im i fundit për të cilin grupimi i Flamur Nokës nuk ka hapur gojën akoma.
Kujt i paskam vënë gjobë unë me denoncimin për katet shtesë pa leje në 14 Korrik në parlament? I kam vendosur gjobë Shefqet Kastratit, mikut të Flamur Nokës? Meqë falet çdo javë te lala i Edi Ramës, le ta pyesë a i kam vendosur gjobë!
Nuk habitem që Flamur Noka është shqetësuar nga denoncimi që i kam bërë paligjshmërisë së Kastratit të Edi Ramës me Kullën përballë Partisë Demokratike. Nuk habitem as nga porosia që i kanë dhënë për të shpifur ndaj meje. Nga personi që akuzoi demokratët e Kukësit se ishin të orkestruar nga Edi Rama për protestat kundër traut të Kastratit në Rrugën e Kombit dhe bëri çdo gjë për shuarjen e tyre, mund të presësh gjithçka.
Kujt i paskam vendosur gjobë unë, oligarkut të farmaceutikës pas emrit të të cilit Flamur Noka fsheh vilën e padeklaruar 760 mijë euroshe në Gjirin e Lazit? Meqë edhe atë e takon çdo fundjavë, le ta pyesë a i kam vendosur gjobë ndonjëherë. Dhe kur ta pyesë, Flamur Noka bën mirë të kujtohet sa herë ka ndërhyrë për të që Partia Demokratike të mos e përfshinte në denoncimet për abuzimet me tenderat në shëndetësi.
Kujt i paskam vendosur gjobë unë, mikut tënd trafikant droge, që sa ishe ti ministër i brendshëm mbyti Britaninë me drogë dhe, më pas, vendosi të pastrojë paratë e drogës me pasuri të paluajshme? Meqë rri shpesh për dreka e darka, Flamur Noka mund ta pyesë vetë edhe atë. Dhe meqë jemi në këtë pikë, është një rast për të sjellë ndërmend se me këtë mikun trafikant droge mori në qafë edhe Sali Berishën, duke i veshur damkën për lidhje me përfaqësues të krimit të organizuar.
Në gjithë karrierën politike nuk ka ndodhur kurrë të kem qoftë edhe një kontakt të rastësishëm me ndonjë oligark apo përfaqësues të botës së krimit. Kur kam hyrë në politikë me besimin tek njerëzit e zakonshëm, tek ata do të mbështetem deri në ditën time të fundit në politikë. Prandaj, sot jam njeri i lirë dhe nuk jam peng i askujt, aq më pak i oligarkëve dhe kriminelëve.
Investimi im kryesor është tek dija.
Nuk kam as vila të fshehura, as para të investuara në bizneset e oligarkëve, as licenca për ndërtim hidrocentralesh dhe, mbi të gjitha, nuk jam peng i asnjë financuesi apo krimineli, që ditën punon me Qeverinë, ndërsa natën financon flamurin e opozitarizmit të rremë.
Për Flamur Nokën kam një premtim: sa më shumë të shpifë, aq më shumë të verteta do jem i detyruar të them!
Deklarata e Nokës:
“Ata oligarkë që ti mendon se i sulmon Gaz Bardhi, jam unë dëshmitar që u rrinte mbas dere me Lulzim Bashën, me dorën shtrirë për të mbushur thesin. A doje të ta them unë? Ke parë një aferë, që kur u ul në atë karrige Sali Berisha, oligark apo jo oligark, që të mos jetë sulmuar dhe të jetë në qendër të sulmeve të opozitës?
Që nga data 25 mars, që Sali Berisha ka hyrë në atë seli dhe u bë kryetar partie në këto 4 muaj, që është bërë një aferë dhe është sulmuar ajo aferë dhe është sulmuar nga të tjerë përveçse nga Sali Berisha? Nuk është heshtur”, theksoi ai.
/e.d
Na bindi muli i plakut barbare ,kta jane kriminele klasi jane te rrezikshem,monstra e vicidolit ka shume para,drejton grupet kriminale te tijat.Por se fundi ju ka hyre frika ne palc nga SPAK,nga zollumet e krimet e tyre te pa fundme.