Krenar Begaj është 50 vjeçari i arrestuar nga policia e Tiranës, pasi ishte i shpallur në kërkim për veprën penale të “mashtrimit”. Begaj ishte i dënuar me 3 vite e 4 muaj burgim, pasi i kishte marrë 12 mijë euro një qytetari me premtimin se do t’i sillte një makinë.
Njoftimi i plotë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Mikro”, nga Seksioni i Kërkimit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në DVP Tiranë.
Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për mashtrim.
Specialistët e Seksionit të Kërkimit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën ekonomiko-financiare dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një personi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Mikro”.
Si rezultat i këtij operacioni, në rrugën ”Hoxha Tasim”, është kapur dhe ndaluar shtetasi Krenar Begaj, 50 vjeç, i cili është dënuar nga Gjykata e Tiranës, me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Mashtrimi”.
50-vjeçari ka përvetësuar, nëpërmjet mashtrimit, shumën prej 12 mijë euro, nga një shtetas, me pretendimin se do t’i blinte një automjet. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.