Prokuroria shqiptare i ka drejtuar një letërporosi Ministrisë ruse të Drejtësisë për ekzekutimin e një vendimi gjykate për mbylljen e faqes Homeland Justice në aplikacionin Telegram.
Ky rrjet social kontrollohet dhe administrohet me servera qëndrorë në Rusi, ndaj dhe ekzekutimi i letërporosisë e nxjerrë nga prokuroria e Tiranës, i është drejtuar pikërisht këtyre autoriteteve.
Kërkesa është dërguar dy javë më parë, ndërsa zyrat e oficerëve të kontaktit në ambasadat respektive, mësohet të mos kenë marë asnjë veprim, për zbatimin e kësaj kërkese.
Me sa duket nevoja e palës shqiptare për ndihmë të ndërsjelltë juridike, ka rënë në vesh të shurdhër në Rusi, edhe pse kanali i Homeland Justice në Telegram vazhdon të publikojë peiodikisht të dhëna sekrete e sensitive të shtetit shqiptar.
Së fundi, grupi i hakerave iranianë Homeland Justice, ka hedhur në rrjetin Telegram mëngjesin e së hënës një databazë tjetër të dhënash me personat e dyshuar për krime të ndryshme në Shqipërisë. Bëhet fjalë për 12 mijë e 500 faqe material nga sistemi Memex, ku janë të renditur në vite me rradhë mijëra persona si të dyshuar nga policia.
Kjo databazë konsiderohet si kartoteka kriminale e çdo personi të dyshuar, ku jepet të dhënat personale të individit. Duke filluar nga numri personal, gjurmët e gishtave, dhe deri tek vepra penale për të cilën është dyshuar apo shoqëruar në polici.
Deputetë, ministria, ish-ministra, zyrtarë të ndryshëm, prokurorë dhe gjyqtarë por edhe emra të njohur të botës së krimit janë pjesë e kësaj liste të publikuar tashmë nga Homeland Justice. Databaza, i përket sistemit policor Memex, ku raportohen informacione të policisë kriminale, mbi personat e dyshuar dhe të kërkuar për vepra të ndryshme penale.
Mes të dhënave të mijëra personave të vjedhura tashmë nga hakerat nuk mungon as biznesmeni i lojërave të fatit, Ervis Martinaj, fati i të cilit prej datës 9 gusht 2022, nuk dihet.
Martinaj në këtë foto shfaqet në moshë rreth 24 vjeç, dhe nuk jepen të dhëna se për çfarë vepre penale është dyshuar. Në listën kriminale të personave të dyshuar rezulton të jetë, Elisa Spiropali, me detyrë deputete dhe Ministre e Shtetit në qeverinë Rama. Shpëtim Gjika, me detyrë ish-kryebashkiak i Vlorës është pjesë e kësaj liste, pasi rezulton të jetë arrestuar dhe proceduar për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”./Oranews/m.j