Pas tragjedisë së ndodhur në Indonezi të shtunën, ka reaguar edhe FIFA. Kreu më i lartë i qeverisë së futbollit, Gianni Infantino, tha se bota e futbollit është në gjendje shoku.
“Bota e futbollit është në gjendje shoku pas incidenteve tragjike që kanë ndodhur në Indonezi në fund të ndeshjes mes Arema FC dhe Persebaya Surabaya në stadiumin Kanjuruhan.
Kjo është një ditë e zezë për të gjithë të përfshirët në futboll dhe një tragjedi përtej të kuptuarit. Unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet dhe miqtë e viktimave që humbën jetën pas këtij incidenti tragjik.
Së bashku me FIFA-n dhe komunitetin global të futbollit, të gjitha mendimet dhe lutjet tona janë me viktimat, ata që janë lënduar, së bashku me popullin e Republikës së Indonezisë, Konfederatën e Futbollit Aziatik, Shoqatën e Futbollit Indonezian dhe Ligën e Futbollit Indonezian, në këtë kohë të vështirë”, deklaroi presidenti i FIFA-s.
Kujtojmë se të paktën 174 njerëz vdiqën dhe 180 të tjerë u lënduan në një rrëmujë dhe trazira në një ndeshje futbolli në Indonezi, në një nga tragjeditë më të rënda në botën e futbollit. Shifrat janë të raportuara zyrtarisht deri më tani, teksa numri mund të rritet edhe më shumë.