Aleatët e koalicionit qeverisës, të kryesuar nga Kryeministri Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta, janë mbledhur në ambientet e vilës shtetërore 30, ku në fokus të diskutimeve do të jetë Byroja Kombëtare e Hetimit.
Në mbledhje janë të pranishëm përveç krerëve të dy grupeve parlamentare edhe Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, Ministri Ekonomisë Ahmetaj si dhe deputeti i LSI Spartak Braho e Ministri bujqësisë Panariti. Mësohet se ne takim është dhe aleati i PDIU-së Shpëtim Idrizi.
Dy forcat kryesore të maxhorancës do të ulen për të diskutuar në lidhje me formatin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Një ditë më parë PD ka kërkuar miratimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit sipas formatit të propozuar nga ekspertët e SHBA-së, ndërsa Ilir Meta i ka propozuar opozitës që ajo të sjellë një draft të sajin në lidhje me këtë çështje. Nga ana e tij Kryeministri Rama tha se Byroja është pjesë e drafit të reformës në drejtësi dhe si e tillë do të votohet së bashku me të kur të vijë edhe opinioni final i Komisionit të Venecias në 12 mars.
Në takimin e sotëm Rama dhe Meta do të duhet të japin përgjigje se nga kush do të varet Byroja, Ministria e Drejtësisë, sipas modelit kroat të USKOK-ut, apo tërësisht e pavarur si DNA në Rumani?