Aplikimet për leje ndërtimi do të bëhen vetëm online dhe po ashtu edhe Karta e shëndetit për të gjithë qytetarët do të mund të printohet përmes internetit. Këto dy ndryshime që pritet të ndodhin në muajin mars të këtij viti u bënë të ditura gjatë analizës 1-vjeçare të punës së Ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike.
Ministrja Harito në prezantimin e saj ka evidentuar faktin se dy prej shërbimeve më të kërkuara për momentin nga qytetarët do të ofrohen online, përmes portalit E-Albania, duke mënjanuar radhët e gjata nëpër sportele si dhe sorrollatjen nëpër zyrat e shtetit.
Ndërsa drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, ka shpjeguar se projekti për lejet e ndërtimit parashikon ngritjen e një sistemi multifunksional të centralizuar, në të cilin do të kenë akses elektronik 61 bashkitë e vendit si dhe të gjitha institucionet e përfshira në këtë vendimmarrje. Të gjithë të interesuarit do të mund të aplikojnë online në portalin e-Albania, prej nga ku do të marrin edhe përgjigjet për aplikimin e tyre.
Duke folur për shërbimeve në sportel Ministrja Harito theksoi se modeli që është aplikuar tashmë në ZRPP Tiranë, gjatë vitit 2016 do të shtrihet edhe në 130 zyra të tjera në të gjithë vendin, duke ndryshuar kështu rrënjësisht mënyrën se si shteti ofron shërbimet për qytetarët e vet.
Një pjesë të mirë të diskutimeve e kanë zënë edhe zhvillimet në Administratën Publike, të cilat. “Reforma në administratë ka arritur të krijojë besim te publiku. Ajo ka përfshirë rreth 20 mijë kandidatë në gjithë procesin e ri të rekrutimit në Shërbimin Civil dhe janë ata dëshmitarët më të mirë të një procesi që nuk ka ndodhur kurrë më parë, një procesi totalisht transparent, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë”, ka theksuar ministrja Harito në fjalën e saj.
Nga ana e saj Drejtoresha e DAP, Albana Koçiu ka theksuar se nga 1006 vende të lira pune që shpalli DAP gjatë vitit 2015 vetëm 650 u arrit të plotësoheshin, pasi kandidatët nuk arritën të merrnin pikët e nevojshme për t’i fituar këto vende pune. Sipas Koçiut ky është një tregues i rëndësishëm se tashmë procesi i konkurrimit për në Shërbimin Civil është tërësisht transparent dhe askush nuk mund të përfitojë në mënyrë të paligjshme përmes tij.