Pronari i një hoteli në Divjakë ka gjetur vdekjen në një nga dhomat e ndërtesës pas një zjarri të rënë në rrethana jo fort të qarta.
Ngjarja është regjistruar gjatë ditës së djeshme rreth orës 10:30 minuta. “Rreth orës 10:30, në Divjakë, është gjetur i pajetë shtetasi Ll. M., 60 vjeç, në një nga dhomat e hotelit në pronësi të tij.
Nga veprimet paraprake dyshohet se gjatë natës aksidentalisht është shkaktuar zjarr në dhomën ku qëndronte 60- vjeçari, i cili për pasojë është asfiksuar dhe më pas është djegur. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Lushnjë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, tha shkurtimisht Policia.
SHKAKU
Llambri Marku, 60-vjeç, gjeti vdekjen në papafingon e hotelit në pronësi të tij në Divjakë. Paraprakisht, dyshohet se zjarri ka shpërthyer nga cigarja e tij dhe mendohet se mund të ketë qenë aksidental. Ka qenë pikërisht ky zjarr i rënë ai që ka shkaktuar shpërthimin e flakëve dhe për pasojë, tymi ka shkaktuar asfiksi te 60- vjeçari, duke i shkaktuar atij humbjen e jetës.
Një tjetër dyshim është fakti se viktima mund të ketë konsumuar pije alkoolike për shkak të problemeve që po kalonte me jetën personale dhe për pasojë, e ka zënë gjumi me cigare ndezur duke bërë që të merrnin flakë batanijet.
Kjo ka bërë që ai të digjet edhe në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar vdekjen.
Kanë qenë familjarët e tij që e gjetën të djegur, pasi 60- vjeçari nuk përgjigjen në celular. Pasi kanë mbërritur në ndërtesë, ata kanë gjetur të shkrumbuar burrin në katin e katërt të hotelit.
Viktima Llabri Marku, kishte pak ditë që ishte divorcuar nga bashkëshortja e tij, ndërsa gjatë ditës së djeshme u gjet i vdekur në papafingon e hotelit./m.j