Bashkimi Evropian ka menduar të vendosë sanksione të reja ndaj rreth 1300 individëve dhe subjekteve ruse pas referendumeve të rreme të zhvilluara në 4 rajone në Ukrainë. Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell, i cili foli pas presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen bëri me dije se këto sanksione përfshijnë oligarkët, zyrtarët e lartë ushtarakë dhe persona të tjerë përgjegjës për “minimin e integritetit territorial të Ukrainës”.
Von der Leyen tha se “Rusia e përshkallëzoi pushtimin e Ukrainës në një nivel krejtësisht të ri” përmes mobilizimit dhe “referendumeve të rreme që janë një përpjekje e paligjshme për të rrëmbyer tokën dhe ndryshimin e kufijve ndërkombëtarë me forcë”.
BE-ja do të zgjerojë listën e produkteve që nuk mund të eksportohen në Rusi, veçanërisht në lidhje me armët, avionët dhe substancat kimike.
Megjithatë paketa ka nevojë për miratimin e të 27 anëtarëve të BE-së.
/a.r