Nëse ish-gruaja apo vajzat e Kujtim Ibrajt do të kishin denoncuar dhunën e vazhdueshme në familje, krimi në familje që ndodhi të dielën në Tiranë edhe mund të ishte parandaluar. Së paku përveç autorit, për vrasjen e 16-vjeçares Elidona Ibraj do të mbante përgjegjësi edhe vetë Policia. Ndonëse dy ditë më parë motrat e viktimës shpreheshin se kështu e kishte shkruar Zoti, sot mund të jenë penduar që nuk e lejuan të ëmën ta denonconte babanë e tyre. Edhe pse Lutfie Duli, zyrtarisht e divorcuar nga Kujtim Ibraj, kishte shkuar disa herë para Komisariatit nr.3 për të kërkuar urdhër mbrojtjeje për vete dhe fëmijët, ajo ishte tërhequr në momentin e fundit. Dy prej vajzave të saj që e shoqëronin, e kishin bindur që të mos e bënte denoncimin, duke shpresuar se babai i tyre mund të ndryshonte.
Ato, në disa raste i janë lutur nënës që ta falte edhe një herë të fundit, paçka se dhuna vazhdonte. Gjatë vitit të kaluar, Policia ka nisur dy procedime kryesisht ndaj Kujtim Ibrajt, por i ka pushuar më pas, pasi familjarët janë tërhequr. Në këtë formë, asnjë nga viktimat e dhunës në familje nuk ka marrë urdhër mbrojtjeje nga Gjykata dhe 56- vjeçari vazhdonte thuajse çdo ditë, në mos të rrihte familjarët, t’i dhunonte ata psikologjikisht. Burime nga Komisariati nr.3 thanë dje se familja kishte konflikte të vazhdueshme dhe se shpeshherë, për shkak të mosmarrëveshjeve e debateve, përfundonin deri në dhunë fizike. Inspektorët e zonës ku ndodhi krimi në familje, pranë rrugës “Jordan Misja” në Tiranë, kishin ndërhyrë disa herë për të shoqëruar palët, pasi ishin lajmëruar nga fqinjët e familjes Ibraj.
Por edhe pse ngjarjet ishin të përsëritura, fëmijët, për mëshirë, por edhe nga turpi ndonjëherë, duke e ditur se babai i tyre ishte i alkoolizuar, refuzonin të bënin denoncim ndaj tij, apo të kërkonin urdhër mbrojtjeje, shkruan Panorama. Prej më shumë se 8 vitesh, megjithëse ndanin të njëjtin oborr, Kujtimi Ibraj jetonte i vetëm, në një dhomë ngjitur me shtëpinë ku jetonte ish-bashkëshortja me 6 fëmijët. Vajza e madhe e familjes, Ismetja, ka treguar në Polici se Elidona ishte ajo që gjithmonë ndërhynte për të qetësuar të atin, i cili ishte agresiv dhe fyente vazhdimisht. Familja Ibraj, me origjinë nga një fshat i thellë i Pukës, kishte ndërruar disa herë vendbanime për shkak të papunë sisë. Fillimisht ishin shpërngulur në Laç, ku kanë jetuar për disa vite, madje atje kanë lindur edhe tre fëmijët e parë të çiftit, ndërsa tre fëmijët e tjerë kanë lindur në Tiranë, pasi ata ishin transferuar në vitin 1997.