Gjykata e Apelit Tiranë ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg” për Arsen Muskurtin, i cili vrau vëllanë dhe kunatën disa javë më parë në kryeqytet.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga Aresen Muskurti, i cili kërkoi ndryshimin pjesërisht të vendimit, caktimin si masë sigurimi personal atë të “arrestit ne burg”, me afat 30 ditë, me qëllim kryerjen e akt ekspertimit psikologjik për verifikimin e gjëndjes së shëndetit mendor.
Dy janë pistat kryesore në të cilat po heton policia në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në rrugën “Islam Alla” në Tiranë.
Pista kryesore është ajo e një konflikti të mundshëm lidhur me biznesin e agjencisë turistike, ku dhe ndodhi ngjarja.
Në bazë të deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), rezulton se vëllezërit Dritan dhe Arsen Muskurti, kanë qenë bashkëpronarë deri në vitin 2018.
Më pas agjencia i ka kaluar tërësisht në pronësi Dritan Muskurtit, i cili mbeti viktimë.
Ndërsa, në profilin e tij në Facebook, autori i krimit Arsen Muskurti, profil të cilin e kishte me emrin Hamza Muskurti, akuzonte vëllanë dhe kunatën se kryenin veprimtari të paligjshme dhe në kundërshtim me rregullat fetare.
Si autori edhe viktimat, ishin praktikantë të fesë islame. Sipas informacioneve, kjo agjenci koordinonte dhe sponsorizonte udhëtimin drejt Arabisë Saudite të besimtarëve të fesë islame.