Pa filluar mirë viti 2016, institucionet ndërkombëtare po ulin parashikimet për rritjen ekonomike të vendit.
Komisioni Evropian pret që rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë në 3.2% në 2016 (nga 3.3% në vlerësimin e nëntorit) dhe 3.5% në vitin 2017, të nxitura nga investimet e huaja direkte dhe eksportet neto.
Për vitin 2016 pritshmëritë për rritje janë më të ulëta se ato të qeverisë shqiptare, që parashikon një zgjerim të ekonomisë prej 3.4%.
Në raportin e tij të mëparshëm, të nxjerrë në nëntor Komisioni parashikoi rritjen e PBB-së të Shqipërisë në 2.7% në 2015, 3.3% në vitin 2016 dhe 3.8% në vitin 2017.
Në parashikimin e saj të vitit 2016, Komisioni Evropian ka vlerësuar si të arritshme objektivat e qeverisë për rritjen nominale të PBB-së prej 6.2%, deficiti total prej 2.2% të PBB-së.
Sipas Komisionit, gazsjellësi Trans-Adriatik, ka të ngjarë të nxisë formimin e kapitalit fiks, si edhe investimet nga prodhuesit e naftës, që kanë rënë përsëri për shkak të çmimeve të dobëta të naftës bruto të papërpunuar.
“Huadhënia bankare për qëllime të biznesit pritet të përjetojë një rikthim gradual nga përpjekjet e ndryshme rregullatore dhe legjislative, që janë zbatuar për të trajtuar problemet e kredive”,- shtoi Komisioni.
Nga ana tjetër, Komisioni pret që industria nxjerrëse do të ndikojë negativisht në aktivitetin ekonomik në vitin 2016, si rrjedhojë e çmimeve të ulëta. Moti ka detyruar edhe paqëndrueshmërinë e sistemit hidroenergjetik, i cili plotëson nevojat më të mëdha të energjisë elektrike.
Komisioni pret që në vitin 2016 borxhi publik në Shqipëri do të fillojë të ulet./Monitor