Shoqata e Anestezistëve dhe Reanimatorëve të Shqipërisë ka reaguar pas arrestimit të dy mjekëve të Spitalit të Traumës, dhe një infermiereje, të cilët përfunduan në pranga për korrupsion.
“Po ndjekim me shumë vëmendje rastin e ndalimit të kolegut tonë anestezist në Spitalin e Traumës, Fitim Marku. Ndërkohë që mbështesim çdo veprim të organeve ligjzbatuese për hetimin dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje të kryer nga kushdo gjatë ushtrimit te detyrës, shprehim shqetësimin tonë për mënyrën denigruese të ndalimit të mjekut”, thuhet në dkelaratën e bërë për mediat.
“Pamje të tilla, të bëra publike, ku mjeku me uniformë shoqërohet nga policë të maskuar nuk i shërbejnë askujt që kërkon me të vërtetë përmirësimin e shërbimit shëndetësor në vend. Vlen të kujtojmë se operacione të tilla, të organizuara me kaq bujë mediatike, nuk i kemi parë as në rastet e ndalimit të kriminelëve të rrezikshëm apo zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion të përmasave të mëdha! Jemi të sigurt që kolegu mjek do të ishte paraqitur pranë organeve përkatëse edhe me një fletëthirrje të thjeshtë. Të mos harrojmë as vijën shumë të hollë që ndan simulimin gjatë hetimit dhe provokimin, gjë që ata që organizojnë operacione të tilla e dinë shumë mirë. Urojmë që kolegu të provojë pastërtinë e figurës së tij, nëpërmjet një procesi të drejtë ligjor!”.
Një ditë më parë, pamjet e arrestimit të mjekëve, nga efektivë të policisë me maska, bënë xhiron e rrjetit. Fillimisht u prangos një mjek reanimator, teksa po i merrte 20 000 lekë të reja një oficeri policie, i cili u paraqit si pacient që kishte nevojë për shërbim mjekësor dhe specifikisht për të kryer procedurën e skanerit.
Operacioni për arrestimin e mjekut Fitim Marku, koleges së tij dhe infermieres, i koduar “Skaneri, u realizua nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, e cila kishte angazhuar disa agjentë të infiltruar si pacientë, pas informacioneve të shumta nga qytetarët se mjekët e Spitalit të Traumës kërkonin ryshfet.
Teksa Prokuroria e Tiranës, përmes një njoftimi për shtyp, thekson se ky aksion, që deri më tani ka si rezultat arrestimin e Markut, me akuzën e korrupsionit, është ende duke vijuar, për të vënë para përgjegjësisë të tjerë mjekë të këtij spitali.
Ndërkaq, vetë autoritetet drejtuese të Spitalit të Traumës, përmes një deklarate, përpos faktit që inkurajojnë drejtësinë, bëjnë me dije se raste të tilla nuk duhet të përkthehen në njollosjen e të gjitha bluzave të bardha, mjekëve dhe infermierëve.
/a.r