Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi duke folur gjatë prezantimit të projektit të ri të BE ‘Eu4LEA’ tha se ka rëndësi të veçantë jo vetëm për të luftuar krimin e organizuar, trafikimin e terrorizmit por edhe procesin e integrimit në BE.
“Falë këtij bashkëpunimi sot ne kemi agjensi ligjzbatuese të cilat denjësisht bashkëpunojnë me vendet anëtare por jo vetëm të BE si partnere të barabarta, gjë e cila vetëm disa vite më parë as që mendohej të realizohej. Kemi kaluar nga thjesht shkëmbimi i informacioneve mes agjensive të përbashkëta në fazën e hetimeve të përbashkëta me vendet. Ky është një hap shumë i madh që mbi të gjitha bazohet mbi besimin e krijuar ndërmjet agjensive tona ligjzbatuese.
Ky besim, kjo aftësi për të ndërvepruar, për të qenë bashkë në aksion kundër krimit të organizuar, trafikimit, terrorizmit, nuk do të ishte e mundur nëse prej shumë vitesh nuk do të kishim një partner si BE. Sot është thjesht një konfirmim dhe konsolidim i këtij partneriteti. Nga ana tjetër, projekti i ri i bashkëpunimit me BE që tashmë ka ndryshuar dhe brendin merr një tjetër rëndësi të veçantë se do të na shoqërojë në një proces shumë të rëndësishëm të ndërlikuar siç janë negociatat në BE.
Kapitulli 24 i kontratës tonë me BE është një nga shtyllat kryesore të kësaj kontrate. Pa u mbyllur dhe pa evoluar kapitullin 24, Shqipëria nuk mund të ecë me kapituj të tjerë kështu që merr një rëndësi të veçantë në etapën që ndodhemi. Më pas vjen etapa e bashkëpunimit mes BE dhe Shqipërisë për asistencën mes agjensive ligjzbatuese të Shqipërisë. Do na mundësojë të mësojmë nga modelet më të mira, jo vetëm ato europiane por edhe të vendeve që rishtazi kanë aderuar në BE dhe kanë bërë një rrugë të ngjashme. Projekti të ketë impakt të qenësishëm dhe të jetë i prekshëm por edhe sa më jetëgjatë”, tha Çuçi.
/f.s