Asgjësimi i kartëmonedhave, monedhave metalike shqiptare dhe bonove të privatizimit do ti nënshtrohen rregullave të reja që synojnë forcimin e masave për kryerjen e këtyre proçeseve.
Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë, miratoi disa shtesave dhe ndryshimeve në rregulloren përkatëse që kanë për qëllim përmirësimin e proçedurave që zbatohen për asgjësimin e kartëmonedhave dhe monedhave, kryesisht në drejtim të dorëzimit dhe marrjes në dorëzim të fondeve, mbikëqyrjes së proçesit si dhe rritjes së efektivitetit të tij.
Banka Qendrore: Sektorë specifik do t’i nënshtrohen rregulloreve të reja
Një seri sektorësh specifik në Bankën e Shqipërisë, do t’i nënshtrohen funksionimit mbi bazën e rregulloreve të ndryshuara, që ka miratuar së fundi Këshilli Mbikqyrës i Bankës Qendrore.
Sipas informacionit të publikuar në faqen zyrtare të BSH-së, janë miratuar disa ndryshimeve në rregulloren “Për liçencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e operatorëve të skemave kombëtare të pagesave me kartë”. Ndryshimet konsistojnë në ripërcaktimin e kompetencave vendimmarrëse bazuar në rëndësinë dhe rreziqet e mbartura nga subjekti i liçencuar.
Këshilli Mbikqyrës ka miratuar një ndryshim në rregulloren “Për liçencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe degëve të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë” që synon të përshtatë dhe unifikojë terminologjinë bankare lidhur me sistemin e vlerësimit të rreziqeve me dokumentin “Politikat e Mbikëqyrjes” dhe manualin “Sistemi i Vlerësimit të Rreziqeve”.
Ndërsa një ndryshim i ri i miratuar “Për miratimin e normës së interesit për remunerimin e rezervës së detyruar dhe të tepricave të subjekteve bankare”, ka për qëllim që rezervat e tepërta në euro të bankave të depozituara pranë Bankës së Shqipërisë të remunerohen me 25 pikë bazë nën normën e interesit të depozitës së Bankës Qendrore Evropiane. Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë, thuhet ne njoftimin e BSH-se.