Edicioni i parë i ‘’Peza Adventure Festival’’, do të mbledhë adhurues të natyrës, sporteve, lojërave dhe aktivitetit fizik, për të ndarë së bashku një fundjavë plot energji dhe dinamikë, në një zonë me bukuri të veçantë, fare pranë Tiranës.
Gjatë festivalit, i cili do të zhvillohet në 23 dhe 24 shtator në Pezë, do të organizohen aktivitete të disiplinave të ndryshme sportive. Larmia e lojërave dhe garave, si dhe hapësirat e përshtatshme të zonës, mundësojnë përfshirjen e shumë pjesëmarrësve, të cilët përgjatë dy ditëve do të kalojnë kohë argëtuese me familjen apo miqtë.
Projekti i organizuar nga Bashkia Tiranë, Ministria e Turizimit dhe Mjedisit, së bashku me partnerë të tjerë, do të fokusohet te atraksionet natyrore dhe potenciali i zhvillimit të turizmit në zonë. Një forum me këtë temë, do të shënojë hapjen e festivalit në datën 23 shtator.
Ditën e shtunë, 24 shtator, me angazhimin e ekspertëve të sporteve dhe operatorëve turistikë, do të zhvillohen aktivitete të shumëllojshme sportive për të gjitha moshat dhe interesat si: hiking, biking, hipizëm, volleyball, basketball, badminton, ping-pong, shah, judo etj.
Një vëmendje të veçantë në këtë festival do të kenë sportet me kuaj si dhe Fondacioni ‘‘Miqtë e Kuajve’’, përfaqësuar nga Arjan Rugji. Gjatë festivalit, do të kryhet një demostrim sportiv me kalorës profesionistë, një paradë me kuaj, shëtitje me kuaj në natyrë si dhe certifikimi i disa kalorësve të spikatur.
Të ftuar do të jenë sportistë të suksesshëm dhe kampionë nga disiplina të ndryshme sportive, si Klodiana Shala, Deborah Keci, Alban Beqiri, Denis Nurja, Juirdo Cani, etj.