Komisioni i Ligjeve ka miratuar këtë të mërkurë në parim dy nismat e propozuara nga PS dhe Enkelejd Alibeajt për hapjen e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit si dhe verifikimit të certifikatave të pastërtisë për personat që kandidojnë në institucionet kushtetuese.
Alibeaj propozon që të hapen të gjitha dosjet e ish-Sigurimit nga 29 nëntori 1944 deri në 2 korrik 1991 me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes vendeve dhe atyre që cenojnë sigurinë kombëtare.
Nga ana tjetër PS kërkon që t’i jepet e drejta Autoritetit të Dosjeve të kryejë verifikimin e të gjithë personave që do të kandidojnë për institucionet kushtetuese, pavarësisht se më parë kanë marrë një certifikatë pastërtie nga komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”.
Neni që PS kërkon të shfuqizohet
Autoriteti nuk administron kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike kur ata kanë marrë certifikatën e pastërtisë së figurës nga institucionet përgjegjëse sipas ligjit nr. 8001 datë 22.9.1995 “për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare”, si dhe ligjit nr 8043, datë 30.11.1995 “për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”.
Neni që Alibeaj kërkon të shtohet
Përjashtimisht, konsiderohen të deklasifikuara dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991 të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë. Nga zbatimi i kësaj dispozite, përjashtohen dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare.
/f.s