Qeveria e Kosovës ka mirëpritur miratimin e rezolutës nga Parlamenti Europian, në sesionin plenar në Strasburg, ku me 403 vota pro, 130 vota kundër dhe 104 abstenime u vlerësua progresi që ka bërë Kosova në rrugën e integrimit europian, por u shpalosën edhe sfidat nëpër të cilat po kalon shteti më i ri në Europë.
Ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku vlerëson se, rezoluta e Parlamentit Europian për Kosovën përmban kërkesa të qarta mbi përforcimin dhe përshpejtimin e procesit të integrimit europian të vendit.
Përmes një komunikate për media, ministri Çollaku ka falënderuar Parlamentin Europian për vlerësimin pozitiv mbi progresin në zbatimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, si dhe për thirrjet që të gjitha palët e përfshira të bëjnë veprimet e nevojshme, në mënyrë që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave gjatë vitit 2016.
Parlamenti Europian, përmes dy rezolutave të miratuara për Kosovën dhe Serbinë, përshëndeti gjatë së enjtes përparimin e bërë në normalizimin e situatës mes dy vendeve, ndërsa europarlamentarët vunë theksin te fakti se, procesit do t’i vinte në ndihmë njohja e Kosovës nga të gjitha shtetet e BE-së.