Partia Socialiste brenda dy javësh pritet të depozitojë në Kuvend, propozimin për ndryshime në ligjin për Partitë Politike dhe si në Kodin Zgjedhor për të pamundësuar bashkëpunëtorët e ish-sigurimit të shtetit që të jenë në politikë aktive.
E ftuar në “Radari Informativ” në ABC, deputetja demokrate Orjola Pampuri tha se nëse ligji do të jetë i saktë dhe brenda çdo kornize, ajo dhe kolegët e saj do ta mbështesin me votë në Parlament.
Megjithatë, Pampuri theksoi se dyshon që ajo që PD ka kërkuar ndër vite rreth kësaj çështje të jetë në një linjë me atë që kërkojnë socialistët.
“Nëse ligji është i rregullt dhe brenda çdo kornize, nuk ka asgjë të keqe për t’u votuar. Mund të jetë brenda kërkesave që për 30 vjet nuk janë dëgjuar. Jam skeptike që ajo që kemi kërkuar ne të ketë përputhshmëri me atë që kërkojnë socialistët.”
Ndërsa duke u ndalur te ligji për financimin e partive politike, deputetja demokrate theksoi se bëhet fjalë thjesht për një “shashkë” të radhës së kryeministrit Edi Rama, duke pasur parasysh akuzat e PS per lobimin rus te Bashes, nderkohe qe eshte vene dhe kunder Berishes, i cili e ka pranuar kete financim dhe lajmet si te mireqena. Madje ka sulmuar dhe Bashen duke i kerkuar te tregoje se si dhe ku i mori parate.
“Dua të theksoj që PD nuk do të jetë kurrë pro-ruse. Është pro-perëndimore. Sa herë që Rama gjendet përballë një përgjegjësie, hedh një shashkë. Kjo është shashka e radhës.”
Kurse, duke u ndalur te përçarja njëvjeçare tashmë e së djathtës, deputetja demokrate u shpreh se shtatori duhej ta kishte gjetur opozitën të bashkuar. Megjithatë, shtoi ai, opozitë është bërë.
“Edhe në gjithë këtë amulli kemi bërë opozitë. Janë akuzuar me emër ata që kanë përfituar tendera me qeverinë. Edhe pse opozita duhej të ishte e bashkuar tashmë. Shtatori duhej të na gjente me një strategji për të konsoliduar të djathtën.”
Pampuri bëri po ashtu të ditur se një pjesë e Grupit të PD ishte mbledhur sot për të diskutuar nëse mund të bihet në një konsensus paraprak për Territorialen. Ndërsa, sa i përket zgjedhjeve lokale në pranverë ajo tha se e mira do të ishte që “dy PD-të” të dalin me një kandidat të përbashkët./m.j