Mos të mallkojmë shtetin e Kosovës sepse e kemi bërë këtë shtet që ta zhvillojmë e t’i besojmë dhe kemi qytetarë të cilët e kanë përgjegjësinë e tyre që të japin besimin por edhe të kërkojnë përgjegjësi ndaj atyre që e drejtojnë këtë vend.
Kështu tha kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në inaugurimin e “Klubit të Prodhuesve” sot në Prishtinë, inaugurimi i të cilit tha se është mënyra më e mirë që të shënohet tetë-vjetori i Pavarësisë së Kosovës.
Ne fjalimin e tij para prodhuesve vendor, Mustafa tha se Kosova ka biznese të shkëlqyeshme të cilat mund të jenë konkurruese në tregun evropian.
Mustafa: Mos ta mallkojmë shtetin por ta zhvillojmë atë
“Më pëlqen pozitivizmi sepse ne duhet një ditë të kthehemi dhe të flasim pozitivisht për vetveten, mos të mallkojmë këtë shtet dhe këtë vend, sepse e kemi bërë këtë shtet që ta zhvillojmë dhe e kemi bërë këtë shtet që t’i besojmë dhe kemi qytetarë të cilët e kanë përgjegjësinë e tyre që të japin besimin por ed he të kërkojnë përgjegjësi ndaj atyre që e drejtojnë këtë vend. Themelimi i sotëm i këtij klubi të prodhuesve është një akt simbolik edhe i tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, sepse mendoj që është mënyra më e mirë që ne ta shënojmë përvjetorin shumë të madh të Pavarësisë së vendit tonë, përmes fuqizimit privat të prodhimit edhe përmes fuqizimit të ekonomisë sonë”, tha ai.
Ai tha se Qeveria ka punuar që të bëjë reforma të caktuara për nxitjen e sektorit privat, veçmas sektorin e prodhimit. Shefi i ekzekutivit tha se duhet bërë ndryshimin e bilancit tregtar, të eksportohet më shumë dhe të bëhet përgatitje për eksport.
Gjithashtu, Mustafa tha se duhet shfrytëzuar përparësitë që jep nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asocimit, që prodhuesit e Kosovës të jenë konkurrent në tregun evropian, meqë kjo tashmë është e drejtë e tyre.
Ai shtoi se është e nevojë e Kosovës që të përgatiten bizneset e të jenë konkurrent në mënyrë që të marrin pjesë në tregun prej 500 milionë konsumatorëve, kryesisht përmes sektorit të prodhimit.
Ndërsa, kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Visar Kelmendi tha se përmes këtij klubi, synojnë të ndryshojnë klimën e të bërit biznes.
Kelmendi: Të ndryshojmë klimën e të bërit biznes
“ Qëllimi bazë i themelimit të klubit është avokimi në institucionet qeveritare relevante për ndryshimin e klimës e të bërit biznes dhe për ndryshimin e infrastrukturës ligjore për një qasje krejtësisht ndryshe”, tha ai.
Astrit Panxha, që është drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, tha se përmes reformave do të mund të ndryshohet ekonomia, ku edhe do të ketë një zhvillim më të qëndrueshëm të saj.
Panxha: Të fillojmë me ndryshime strukturore të ekonomisë
“ Ne çka presim si klub është që të ketë një vazhdimësi të këtyre reformave, një sinkronizim të këtyre reformave, si nga Qeveria qendrore, si nga institucionet tjera, në mënyrë që të fillojmë me ndryshimet strukturore të ekonomisë ku do të ketë ulje të papunësisë, rritje te të ardhurave dhe ulje të varfërisë, dhe rrjedhimisht një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, tha ai. /KP/