Kryebashkiaku Erion Veliaj ka komentuar edhe çështjen e financimeve ruse në Partinë Demokratike. Duke folur për Report TV, Veliaj tha se opozita është tashmë në ditët e veta më të vështira, por qytetarët nuk duan të dëgjojnë as për financimet ruse të Lulit, as për non gratam e Berishës dhe as për të kaluarën e Metës si bashkëpunëtor i ish-sigurimit.
“Opozita është tashmë në ditët e saj më të vështira. Por dua që njerëzit që na shohin të dëgjojnë kryetarin e bashkisë që flet më shumë për hallet e tyre, se për hallet e Lulit apo të Saliut, që është non grata, apo të Ilir Metës që është spiun. Këta kanë probleme të rënda, qofte Luli me financimet ruse, qofte Berisha me non gratën, qofte Ilir Meta me të kaluarën e tij. Po këto nuk janë hallet e shqiptarëve, këto janë hallet e tre vetëve. Hallet e Lulit me rusët, të Saliut me amerikanët si non grata, dhe të Ilir Metës me ish sigurimin, janë problemet e tre njerëzve që mundohen t’ia vënë shoqërisë, sikur janë hallet e shoqërisë. Këto janë hallet e tyre personale. Kështu që, secili duhet t’i zgjidhë vetë hallet, me drejtësinë apo me shtetet ku i kanë këto halle””, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se misioni dhe fokusi i tij është që të merret me zgjidhjen e problemeve konkrete të qytetarëve. “Misioni ynë është që të punojmë për probleme konkrete. Ndaj edhe fokusin e kam pasur këtë fillimviti tek shkollat. Kur fokusohemi tek problemet konkreteve, vendi ecën përpara. Kur mundohemi që t’i shtojmë halleve tona, edhe hallet e Lulit, të Saliut, dhe të Ilir Metës, praktikisht po e ngarkojmë veten me problemet e tyre personale, por jo me hallet e njerëzve të thjeshtë”, nënvizoi Veliaj.
/e.d