Termocentrali bërthamor i Ukrainës në Zaporizhia është rilidhur me rrjetin elektrik të vendit, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), pas ndërprerjes së energjisë elektrike në objekt.
” Linja e riparuar 750 kilovolt (kV) furnizon termocentralin më të madh bërthamor të Evropës (…) me energjinë e nevojshme elektrike për të siguruar ftohjen e reaktorit dhe funksione të tjera sigurie,” tha IAEA në një deklaratë.
IAEA thotë se situata e uzinës, e cila mbahet nga forcat ruse, është përmirësuar, por mbetet e pasigurt, shkruan BBC.
Një ekip ekspertësh bërthamorë nga IAEA (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike) udhëtoi në Zaporizhzhia, centrali bërthamor më i madh në Evropë, në fillim të muajit. Udhëtimi pasoi thirrjet në rritje nga Ukraina dhe komuniteti ndërkombëtar për një inspektim sigurie pas raportimeve të bombardimeve dhe të rrezikut të shtuar për një shpërthim.
Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar njëra-tjetrën për bombardimet në termocentralin në Ukrainën juglindore. Pas inspektimit të parë të IAEA, agjencia njoftoi se do të mbante një prani të përhershme për të monitoruar situatën.
Anëtarët e ekipit në vend të shtunën mësuan se një nga katër linjat kryesore të jashtme të energjisë të dëmtuara nga bombardimet ishte riparuar, duke lejuar marrjen e energjisë elektrike direkt nga rrjeti kombëtar, shkruan IAEA të shtunën në Twitter.
Sakaq zbulimi i varreve masive në Izyum ka bërë që presidenca e Bashkimit Evropian të bëjë thirrje për një gjykatë ndërkombëtare për krimet e luftës.
Qindra trupa janë zbuluar të varrosur në një pyll në skaj të qytetit, i cili kohët e fundit ra nën kontrollin e Ukrainës pasi forcat ruse u tërhoqën.
Shumë prej tyre thuhet se janë civilë, mes tyre ka gra dhe fëmijë. Ukraina akuzon Rusinë për krime lufte.
/e.d