Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josef Borrell ka shprehur mbështetjen për Shqipërinë pas sulmeve kibernetike të ndodhura ditët e fundit, gjatë një komunikimi me kryeministrin Edi Rama.
Ai shprehet se Bashkimi Evropian do të mbështesë Shqipërinë për rritjen e mbrojtjes kibernetike.
“Fola me kryeministrin Edi Rama sot për sulmet e fundit kibernetike që kanë goditur Shqipërinë. Këto kërcënime ndaj integritetit dhe sigurisë së Shqipërisë dhe përpjekjet për të minuar institucionet dhe shoqëritë demokratike janë të papranueshme. BE do të qëndrojë në krah të Shqipërisë në rritjen e mbrojtjes kibernetike”, tha Borrell.
Kujtojmë se vendi ynë ka rënë pre e sulmeve kibernetike në sistemin TIMS, duke krijuar probleme në pikat kufitare të vendit.
Një ditë më parë, Departamenti amerikan i Drejtësisë sanksionoi dhjetë individëve dhe dy entitete të lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, të akuzuar për kryerjen e akteve keqdashëse kibernetike, përfshirë kërcënime për publikim të dhënash në këmbim të parave, të njohura si sulme “ransomware”.
g.kosovari