Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi gjatë një takimi me strukturat e PL-së në Tiranë se kryeqyteti është kthyer në një lavatriçe të pastrimit të parave krimit.
Ai ftoi të gjithë shqiptarët ta largojnë kryeministrin Rama, të cilin e krahasoi me El Chapon, narkotrafikantin e njohur meksikan.
“Tirana është shndërruar në një lavatriçe të pastrimit të parave të krimit, në vend që të ishte qyteti i konkurrencës së ndershme. Lajmi që vjen nga Meksika është që edhe karteli i madh i Meksikës paska investuar këtu. Patjetër se ne El Chapon e kemi në krye të qeverisë.
Thoni shpesh ky është si Escobari. Ato librat e Escobarit i ka qejf shumë i di përmendsh ai.
Jemi shumë larg Kolumbisë, Kolumbia 6 muaj e pati Eskobarin në Parlament dhe e përzuri, tani ka ardhur koha që dhe ne ta përzëmë këtë Escobarin tonë”, tha Meta.
Meta shtoi se kjo është një qeveri mizore e cila nuk ka në agjendë problemet sociale të qytetarëve, duke mos indeksuar pagat dhe pensionet për të përballuar krizën e çmimeve.
“Ky është modeli i tyre në bashki dhe qeveri. Mashtrim dhe vjedhje, vjedhje dhe mashtrim. Vetëm problemet sociale nuk janë në agjendën e kësaj qeverie. Kjo është një qeverisje mizore, një sekt me vese. Këta nuk duan t’ia dinë për paga dhe pensione si dhe problemet e rinisë shqiptarë. Partia e Lirisë e nisi këtë sesion parlamentar me një projektligj për indeksimin e pagave dhe pensioneve, ende asnjë përgjigje nga qeveria”, tha Meta.
g.kosovari