Ish anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Edvin Kulluri ka deklaruar se çështja e financimit nga Rusia janë fjalë të thëna që prej katër vitesh por që sipas tij të gjithë kanë heshtur.
Në edicionin qëndror të lajmeve në Vizion Plus, Kulluri tha se ka qenë vetëm ai me një ose dy kolegë që kanë kërkuar transparencë për çështjen por askush nuk është përgjigjur.
Nga ana tjetër, sipas tij, edhe lideri aktual i PD, Sali Berisha ka qenë në dijeni të financimit rus më herët por i doli kundër ish kryetarit Basha vetëm kur ky i fundit e përjashtoi nga partia.
“Fatkeqsisht po dalin fjalë që janë thënë para katër vitesh fillimisht nga mediat amerikane që publikuan për herë të parë raportet mbi një kontratë shumë të dyshimtë ku ishte i përfshirë edhe ish-kryetari i PD, Lulzim Basha. Berisha e ka pranuar vetë që ambasadori, Donald Lu i ka dorëzuar këto të dhëna në zyrë.
Ka pasur heshtje.
Kam qenë i vetëm me një ose dy kolegë që kemi kërkuar qartësi për këtë çështje që I kemi kërkuar z.Basha të sqaronte Këshillin Kombëtar dhe opinion publik.”
Kulluri shtoi se është pikërisht kjo mungesë serioziteti dhe koherence arsyeja që PD është përçarë dhe ka ulur besimin tek qytetarët.
“Ky është problemi që ka PD, mungesë koherence e serioziteti. Edhe një nga arsyet që e ka çuar PD në këtë gjëndje dhe ka humbur besimin të qytetarët. Sidomos për një cështje kaq të rëndësishme.
Për z.Berisha dhe të gjithë ekipin që e rrethon deri në 8 shtator të vitit të kaluar, këto akuza nuk ishin të besueshme, pastaj u bënë të besueshme. I besoi vetëm kur u përjashtua vet, këtshu që është e qartë që nuk ka seriozitet.”
/a.r