Dyshimet për shkelje ligjit gjatë financimit të lobimit të Partisë Demokratike në SHBA në vitin 2017 janë një histori e mbyllur për drejtësinë shqiptare.
Të paktën deri në daljen në dritë të një prove të re, që mund të krijojë kushte për rihapje të hetimit. Përmes një vendimi të formës së prerë, që nuk është kundërshtuar në Gjykatën e Lartë, është vendosur pushimi i hetimit të nisur në vitin 2018 ndaj tre të akuzuarve për rastin, ish-kreun e PD, Lulzim Basha, ish-sekretarin e Përgjithshëm, Arben Ristani dhe ish-financieri, Ilir Dervishi.
Të tre u morën si të pandehur për akuzën e “pastrimit të parave” dhe “falsifikim të dokumenteve” në qershor të vitit 2019, pas një investimi prej më shumë se 500 mijë dollarë për lobim në SHBA dhe mosdeklarimin e tij në KQZ.
Përveç përballjeve politike të kampit demokrat e socialist gjatë hetimit, finalizimi i tij gjeneroi përplasje edhe brenda prokurorisë, që u reflektua me dërgimin e dosjes në gjyq në limite të afateve kohore.
Prokurorët i kërkuan gjykatës gjykim për veprën e “falsifikimit të dokumenteve”, ndërsa u tërhoqën nga “pastrimi i parave”.
Po në proces ata u paraqitën me dy qëndrime, një për kthimin e dosjes për plotësim të hetimeve dhe një tjetër për pushimin e saj. Një prej tre prokurorëve u zëvendësua pasi çështja kishte nisur. Në 13 janar 2020, Gjykata e Tiranës vendosi të pushojë hetimin e nisur ndaj Bashës, Ristanit e Dervishit.
Gjyqtari paraprak, Lazer Sallaku, argumentonte në vendim se Prokuroria nuk kishte siguruar asnjë provë dokumentare për të mbështetur deklarimet e lobistit amerikan, Nikolas Muzin, në Departamentin Amerikan të Drejtësisë për përfitimin e dy pagesave prej 650 mijë dollarësh për llogari të Partisë Demokratike.
Po sipas tij, PD kishte paguar 25 mijë USD për shërbimet e Muzin, fakt që e ka deklaruar saktë në KQZ. Vendimi u apelua nga prokurori Gjergji Tako, por në 14 maj 2020 Apeli i Tiranës vendosi të lerë të pandryshuar vendimin e Shkallës së Parë, duke vlerësuar se prokurori Tako nuk legjitimohej për të bërë ankimin.
/a.r