Një turiste gjermane ka pësuar një lëndim në gjymtyrë këtë të martë, rreth orës 11:00, teksa po eksploronte “Kanionin e Langaricës” në Përmet.
Burimet zyrtare bëjnë me dije se shtetaasja në fjalë është rrëzuar dhe për pasojë është dëmtuar në këmbë, incident pas të cilit ka shkuar në ndihmë policia.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, në bashkëpunim me shërbimin e Urgjencës Përmet, kanë ndërhyrë në zonë dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e turistes, në Kanionin e Langaricës. Më pas, e kanë transportuar për në spital, ku ka marrë dhe trajtimin e nevojshëm mjekësor.
“Më datë 13.09.2022, rreth orës 11:00, në sallën operative Përmet ka ardhur një telefonatë se një turiste
gjermane, duke eksploruar me këmbë zonën e quajtur “Kanioni i Langaricës”, në Përmet, ishte rrëzuar dhe për pasojë ishte dëmtuar në këmbë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet janë nisur në drejtim të zonës ku ndodhej turistja gjermane.
Punonjësit e Policisë, së bashku me shërbimin e Urgjencës, e kanë nxjerrë nga kanioni dhe më pas e kanë transportuar për në spitalin e Përmetit, shtetasen gjermane, e cila aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
DVP Gjirokastër fton qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë të telefonojnë në numrin pa pagesë 112″, thekson policia.
/e.d