Është arrestuar në Itali 40-vjeçari Besnik Lamçja, i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare, pas vrasjes së kryer në vitin 2000, në kryeqytet.
Policia bën me dije se pas marrjes së informacionit nga Seksioni i Kërkimit në DVP Tiranë, për vendodhjen e një personi shumë të kërkuar, si dhe falë shkëmbimit në kohë të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u bë e mundur kapja në Itali dhe ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar Besnik Lamçja, 40 vjeç.
Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, “Vjedhja me armë”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në datën 27 qershor 2000, në vendin e quajtur “Magazinat e tregtisë”, në rrugën “Siri Kodra”, Besnik Lamçja, në bashkëpunim me shtetasin E. Ç., ka vrarë me armë zjarri shtetasin G. U.
/a.r