Arkivoli i Mbretëreshës Elizabeth II është larguar ditën e sotme nga Balmoral.
Qindra njerëz janë rreshtuar në Ballater për të pritur kortezhin e funeralit e Mbretëreshës. Fshati në Aberdeenshire është një nga vendet e para ku arkivoli do të kalojë pas largimit nga Balmoral. Dashamirësit kanë udhëtuar shumë larg, nga Glasgou në Singapor, për të arritur atje, madje disa prej tyre kanë bërë 8 orë rrugë. Edhe jashtë kështjellës Windsor është e njëjta pamje.
Kjo skenë shihet në të gjithë vendin, me turma që mblidhen në rezidencat e mbretëreshës së ndjerë në Balmoral dhe në Pallatin Buckingham. Nga mëngjesi i së dielës, arkivoli i Elizabetës II do të lëvizë ngadalë nga Kështjella Balmoral, nëpër qytete e qyteza drejt Edinburgut.
Kurora e ulur mbi arkivolin e Mbretëreshës është bërë nga disa nga lulet e saj të preferuara të zgjedhura nga kopshti i Balmoral. Në kurorë janë të përfshira: Phlox, Dahlias, Bizele ëmbël, Limonium dhe Shqopa e bardhë.
Qytetarëve u është kërkuar që të mos lënë arushë pelushi, tullumbace apo qirinj të ndezur në rrugë, ndërsa rojet mbretërore thanë se nuk do të pranohen dhurata dhe se objektet pa lule nuk duhet të sillen.
Mijëra njerëz kanë vendosur lule pranë Pallatit Buckingham, Kështjellës Windsor dhe Balmoral që kur u njoftuan për vdekjen.