Gara për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme pritet të hapet në 16 shtator, në mbledhjen e parë që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka planifikuar të zhvillojë.
“Drejtuesi aktual i Prokurorisë së Posaçme përfundon mandatin në datën 18 dhjetor dhe ne kemi detyrimin si Këshill që 3 muaj para përfundimit të hapim garën. I bie që javës tjetër, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit që kemi fiksuar në datë 16 shtator, një nga pikat në rendin e ditës do të jetë edhe hapja e garës për drejtues të Prokurorisë së Posaçme”, shprehetkreu i KLP, Alfred Balla.
Ai tregoi më shumë mbi kriteret që favorizojnë më shumë kandidatët:
Ata që kanë një figurë edhe mediatike dhe marrëdhënien me median dhe publikun për aq sa i takon. Kandidatët që kanë eksperienca në hartimin e akteve nënligjore dhe rregulloreve do i kemi parasysh në përzgjedhje.
Plotësimi i SPAK me 20 prokurorë, sipas Ballës do të duhet të presë, pasi Këshilli është fokusuar në plotësimin e vakancave në prokuroritë e rretheve aty ku mungojnë 104 prokurorë:
“Burimi kryesor i futjes së prokurorëve në sistem është Shkolla e Magjistraturës dhe që kur jemi krijuar kemi emëruar 40 prokurorë. Këtë vit ne emëruam 22. Për të zbutur vakancat i kemi propozuar Kuvendit që të bëhet i mundur ndryshimi i ligjit në lidhje me prokurorët që janë në proces studimi të cilët vitin e 3 të munden ta bëjnë praktikë të pagueshme dhe të punojnë në sistem”.
Kreu i KLP thotë se ndryshimi i ligjit do të sjell më shumë burime njerëzore në sistem./m.j