Ditën e sotme në Pogradec një 63-vjeçar i mori jetën bashkëfshatarit të tij me armë të ftohtë pas konflikteve të vazhdueshme mes të dyve, të cilat kanë lindur për një rrugë e cila përdorej nga viktima, por për të cilën pretendime kishte dhe autori 65-vjeçar.
BalkanWeb ka zbuluar dinamikën e ngjarjes së rëndë. Fatos Manellari 63 vjeç ka goditur me mjet të ftohtë 65-vjeçarin Safet Hyskollarin në derën e banesës së tij, i cili pasi është dërguar në spital ka ndërruar jetë nga plaga e marrë. Konflikti ndërmjet të dy shtetasëve ka qënë i vazhdueshëm, ku më herët të dy janë përplasur edhe fizikisht.
Ngjarja ka precipituar mbrëmjen e datës 9 Shtator, rreth orës 17:50, ku Manellari ka vajtur në banesën e Safet Hyskollarit dhe e ka goditur për vdekje në pragun e shtëpisë së tij. Pas kësaj menjëhërë autori është larguar në drejtim të paditur, ku ka nisur dhe kërkimi policor.
Një nga miqtë e viktimës është shprehur se Safet Hyskollari është kthyer para një viti nga Amerika dhe në komunitet njihej si një person i qetë. Ndërkohë një tjetër banor është shprehur për autorin se nuk njihej si njeri i mirë në komunitet. Nga informacionet paraprake rezulton se Fatos Manellari ishte një person që kurohej nga depresioni dhe situatat e përsëritura të konfliktit e kanë shtyrë këtë të fundit të ndërmarrë aktin ekstrem.
Familjarët e autorit u njohën nga mediat për vdekjen e Safet Hyskollarit, ndërkohë i biri theksoi se pas aktit të të atit, kishte dalë për ta kërkuar këtë të fundit dhe motivonte dorëzimin e tij. Jashtë kamerave ai tha se ndihej i rrezikuar, pasi familja e viktimës, mund të hakmerrej kundrejt tij dhe nënës.
/e.d