Pas mbledhjes së qeverisë, zv.kryeministrja Balluku është pyetur nga gazetarët për pezullimin e statusit aktiv të kompanisë “Air Albania”. Shkak i kësaj ka qenë mosdeklarimi nga ana e kompanisë e pronarëve përfitues dhe i bilancit të tre viteve të fundit. Balluku thotë se ngjarja nuk është e jashtëzakonshme, ndërsa sipas informacioneve të saj, do të zgjidhet ditën e sotme.
Pas muajit Tetor, “Air Albania” ka planifikuar zgjerimin e saj në flotën e avionëve, fluturimet dhe destinacionet. Në mbyllje, zv. kryeministrja përgëzoi institucionet për punën e tyre edhe në rastet kur shteti është bashkëpronar.
Belinda Balluku: “Air Albania” është një kompani private në 90% të aksioneve të saj dhe shteti shqiptar ka 10% të aksioneve. Fakti që QKB zbaton ligjin, pavarësisht se shteti është 10% aksioner, tregon sa mirë funksionojnë strukturat shtetërore dhe është për t’u përgëzuar për të thënë të të drejtën.
Për sa i përket procesit, unë jam informuar sot paradite që është një proces rutinë që i ndodh disa kompanive kur ata nuk dorëzojnë dokumentacionin e duhur justifikues për të pasur gjithë dritën jeshile nga QKB. Kështu që i është kërkuar “Air Albania” duke qenë se një nga pronarët është “Turkish Airlines” dhe bashkëpronar i huaj, ndoshta i pamësuar me rregullat e Republikës së Shqipërisë që të dorëzojë menjëherë përfituesin fundor pasi ky ka qenë edhe problemi që është shtruar nga QKB.
Në informacionin tim di që do të kryhet brenda ditës së sotme, nuk është asgjë e jashtëzakonshme. Unë e kuptoj që ka marrë edhe një konotacion në media kompania shtetërore. Siç ju thashë, shteti ka 10% dhe duke qenë se ne kemi 10% dhe kemi informacione për atë kompani, parashikohet që pas muajit Tetor, pas përfundimit të sezonit, “Air Albania” do ketë një ekspansion të aktivitetit të saj duke shtuar avionët, flotën, fluturimet dhe destinacionet. Kështu që për “Air Albania” ka vetëm lajme të mira në të ardhmen dhe çfarë ka ndodhur sot tregon vetëm që shteti shqiptar kërkon që të zbatohet ligji edhe kur ai vetë është bashkëpronar.
/a.r