Ish-deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj thotë se protesta e thirrur nga kjo force politike më 13 shtator te inceneratori i Tiranës, nuk do të mbahet pa Partinë Demokratike, por është e opozitës në tërësi.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Mehmetaj u shpreh se protesta do të zhvillohet te inceneratori, pasi sipas saj, aty po groposen paratë e shqiptarëve dhe për këtë nuk po mban askush përgjegjësi.
“Nuk është një protestë pa Partinë Demokratike, është një protestë e cila ka një qëllim. Nuk është thjesht një protestë e thirrur nga opozita për të mbledhur në shesh dhe për të protestuar për të gjitha kauzat, do të jemi kudo aty ku duhet protestuar.
Do të jetë një protestë e radhës te inceneratori, aty ku ka ndodhur masakra më e madhe që kjo qeveri ka bërë në të gjithë vitet e saj të qeverisjes, aty ku groposoen paratë e shqiptarëve dhe për të cilën nuk mban askush përgjegjësi”, theksoi ajo.
Disa ditë më parë, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta njoftoi se më 13 shtator, kjo forcë politike do të zhvillojnë një protestë tek inceneratori i Tiranës.
Meta ftoi të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në këtë protestë, ku nënvizoi se nuk duhet të mungojnë as ekspertët e fushës.
/a.r