Mediat britanike shkruajnë se gjashtë shqiptarë që rrisnin kanabis në një shtëpi bari në Angli, janë dënuar nga gjykata.
Gjashtë kontrolle policore u kryen në adresat Bradford, Leeds, Barnsley e Keighley dhe në pesë prej adresave u zbulua se në to rritej kanabis.
Gjashtë persona u arrestuan dhe u akuzuan për vepra penale që kanë lidhje me drogën. Policia konfirmoi se Andrit Toçi, 33 vjeç, me banim në Uayland Avenue, Mario Tafa, 22 vjeç, me banim në Kellett Lane dhe Revi Shehu, 25 vjeç, me banim në Thurston Gardens u deklaruan fajtorë për prodhimin e kanabisit.
27-vjeçari Elvis Abedini me banim në Kellett Lane u deklarua fajtor për komplot për prodhimin e kanabisit.
Klesti Gorcellari, 24 vjeç, nga Sundoun Avenue, Isuf Roshi, 24, nga Sundoun Avenue dhe Armando Sulçe, 27 vjeç, me banim në Tern Street mohuan akuzën për prodhimin e kanabisit dhe janë në gjyq që nga 15 gushti.
Në një deklaratë nga Policia e Uest Yorkshire, u konfirmua se gjykata shpalli fajtorë shqiptarët e dyshuar për vepra penale që lidhen me drogën. Gorcellari u dënua gjithashtu për posedim të dokumenteve false të identitetit.
Të premten më 2 shtator në Gjykatën e Bradford Croun, Toçi u dënua me 12 muaj burg. Të hënën, më 5 shtator, Gorcellari u dënua me shtatë vjet e gjysmë, Roshi u dënua me pesë vjet dhe Sulce me katër vjet. Dënimi i Abedinit u shty për një datë tjetër, ashtu si edhe dënimi i Tafës.
Shefi policor Karen Milner tha: “Unë i mirëpres dënimet e dhëna sot, ky ishte një operacion i sofistikuar me një sasi të konsiderueshme droge të sekuestruar. Droga nuk ka vend në komunitetet tona dhe ne do të punojmë me agjencitë tona partnere për të hequr drogat ilegale.
Dëshiroj të falënderoj kolegët tanë të ekipit të hetimeve penale dhe financiare të Ministrisë së Brendshme për mbledhjen e informacionit që çoi në këtë operacion të suksesshëm. Shpresoj që operacioni të shërbejë si një paralajmërim për këdo që është i përfshirë në furnizimin dhe prodhimin e drogës, me mesazhin e qartë se kushdo që merret me veprimtari ilgela, do të kapet dhe do të ketë pasoja të rënda.”
Mësohet se shqiptarët e dënuar rrisnin kanabis në një fermë, që e kishin marrë me qira. Nëse kanabisi që rrisnin do të shitej në treg, do të kapte vlerën e 550 mijë paund. Të rinjtë kishin bërë kalime të fshehta nëpër fermë, me qëllim që të mos zbuloheshin nga policia.
/e.d