Sekretari i përgjithshëm i KB, Ban Ki-moon në raportin e tij më të ri për Kosovën ka shfaqur brengën për shkak të dhunës që u përdor nga opozita në Kosovë, transmeton Koha.net. Ai ka vlerësuar se zhvillimet e tilla kanë qenë shkak për shtyrjen e disa aspekteve të zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, mbi të gjitha për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Ban ka saktësuar se kjo ka të bëjë me marrëveshjet nga prilli i vitit 2013 dhe gushti i vitit 2015, duke përmendur se marrëveshjet në drejtim të themelimit të Asociacionit (Bashkësisë) të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë nuk janë përmbushur në kohën e parashikuar. Ai po ashtu thekson se vlerëson përkushtimin e Prishtinës e të Beogradit për të vazhduar takimet në nivel të lartë në kuadër të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së në një të ardhme të afërt.