Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka zbuluar se 11-vjeçarja e cila dyshohet se ishte abuzuar seksualisht vetëm në dy raste (qeshor dhe gusht) rezulton se është përdhunuar për më shumë se 1 vit.
Sveçla deklaroi se bëhet fjalë për shumë raste të abuzimit me të miturën, duke theksuar se institucionet përgjegjëse kanë dështuar për të mbrojtur 11-vjeçaren.
Ai kërkoi identifikimin e të gjithë përdhunuesve të vogëlushes, teksa shtoi se ende nuk janë vendosur të gjithë në pranga.
“Nuk bëhet fjalë as për dy raste, por bëhet fjalë për më shumë raste të dhunimit të të miturës 11-vjeçare. Sa më shpejt që është e mundur, të dalim me të gjitha të gjeturat e këtij rasti, jashtëzakonisht të rëndë.
Në këtë rast janë të përfshirë qoftë Prokuroria, qoftë qendra për punë sociale, qoftë Policia e Kosovës, por edhe Agjencia e Kosovës për Forenzikë.
Të gjitha informatat e deritanishme na tregojnë për dështime të njëpasnjëshme të institucioneve përgjegjëse për të mbrojtur së pari këtë të mitur, e pastaj për të identifikuar se çfarë ka ndodhur, dhe për të identifikuar të gjithë dhunuesit, e që fatkeqësisht të gjithë ende nuk janë arrestuar.
Pres që Policia nën direktivat e Prokurorit, të angazhohet dhe të zbulohet e vërteta. Mund të them se e mitura është dhunuar për mbi një vit”, tha Sveçla, raporton Gazeta Sinjali.
Deri tani në pranga kanë rënë 11 persona. Gjashtë prej tyre dyshohet se përdhunuan dhe trafikuan të miturën më 21 qershor dhe 5 të tjerë dyshohet se abuzuan vajzën në fund të gushtit./m.j