Zbulimi i mijëra pishinave private të padeklaruara në Francë, ka shkaktuar fitime të papritura për autoritetet tatimore franceze. Pas një eksperimenti duke përdorur inteligjencën artificiale (AI), u zbuluan më shumë se 20,000 pishina private të padeklaruara dhe nga këto, tani Tatimet kanë grumbulluar rreth 10 milionë euro të ardhura, raportojnë mediat franceze.
Sipas BBC, të kesh një pishinë mund të çojë në taksa më të larta mbi pronën sepse ato rrisin vlerën e pronës dhe duhet të deklarohen, sipas ligjeve franceze.
Softueri i zhvilluar nga Google dhe firma franceze konsulente “Capgemini”, vuri re pishinat në imazhet ajrore të nëntë rajoneve franceze, gjatë një prove në tetor të vitit 2021.
Rajonet e Alpes-Maritimes, Var, Bouches-du-Rhône, Ardèche, Rhône, Haute-Savoie, Vendée, Maine-et-Loire dhe Morbihan ishin pjesë e gjyqit për fshehje të pishinave – por zyrtarët tatimorë thonë se tani hetimi mund të shtrihet në mbarë vendin.
Në vitin 2020 kishte më shumë se 3.2 milionë pishina private në Francë, sipas faqes së internetit të të dhënave “Statista”.
Sipas gazetës “Le Parisien”, një pishinë mesatare prej 30 metrash katrorë tatohet me 200 euro në vit.
Pasi u zbuluan, pronarët e këtyre pishinave janë gjobitur nga 500 deri në 1000 euro, por nuk ka pasur asnjë vendim për prishjen e tyre.
Autoritetet tatimore thonë se softueri mund të përdoret përfundimisht për të gjetur shtesa të padeklaruara të shtëpive, oborre apo garazhe, të cilat gjithashtu luajnë rol në taksat e pronës.
g.kosovari