Të gjithë qytetarët që kursejnë energjinë elektrike do të subvencionohen nga Qeveria e Kosovës.
Kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Financave, Hekuran Murati, më 3 shtator.
Sipas ministrit Murati, kushdo që shpenzon më pak energji elektrike në muaj, krahasuar me muajin e njejtë të vitit të kaluar, do të do të subvencionohet.
“Për shembull nëse janë shpenzuar 1000 kilovatë orë në shtatorin e shkuar dhe sivjet 900, mund të konsiderohet se është bërë kursim prej 100 kilovatëve, ose 10 për qind. Për këtë përqindje do ta mbështesim subvencionimin e faturës 20 për qind. Dyfishin e kursimit që e bëjnë qytetarët”, ka thënë ai.
Kjo dhe masa të tjera, sipas kryeministrit Kurti, do të jenë ndihmë në kuadër të pakos për përballen me inflacionin, e cila është vazhdimësi e pakos për ringjalljen ekonomike.
Kurti tha se familjet me asistencë sociale do të mbështeten me dyfishim të shumës së asistencës për një muaj. Ndërsa me nga 100 euro në nëntor do të mbështeten studentët.
Sipas tij, nga shtatori pensionistët do të marrin nga 100 euro, me nga 50 euro zyrtarët publikë, ndërsa me nga 100 euro punëtorët e ndërmarrjeve publike.
Ndërsa për punëtorët e sektorit privat u tha se Qeveria do të subvencionojë për tre muaj ato biznese që i rrisin pagat e punëtorëve, pra gjysmën e rritjes së pagës së tyre për tre muaj.
Në total, Kurti tha se do të ndahen 150 milionë euro për pakon për përballen me inflacion.
Ai tha po ashtu se shpejt do të procedohet në Qeveri e Kuvend, Projektligji për punë publike i cili ka për qëllim kompensimin për inflacion për materiale ndërtimore dhe punët përcjellëse./ REL
g.kosovari