Nga Tom Kington, The Times
Roberto Mulaj mund të admirojë pamjet e Kosovës fqinje nga ferma e tij, e cila ndodhet në një luginë në Shqipërinë e veriut. Megjithatë, më shpesh, adoleshenti gjendet i strukur me telefonin e tij duke parë videot e reperit të tij të preferuar, Marin, të cilit i pëlqen të tregojë video me shuma të mëdha parash dhe të lëvizë nëpër Londër me një Mercedes me ekipin e tij me armë.
“Jam i interesuar të shkoj në Angli. Duket një jetë më e mirë se këtu, e kam parë në Instagram”, tha Roberto, 14 vjeç.
Babai i tij, kryeplaku i Dobrunës, tha se ai nuk pretendonte të pengonte Roberton që të largohej, edhe nëse rrezikonte të binte në kthetrat e një bande shqiptare të drogës me bazë në Britani.
“Shpresoj që ai të mos largohet, por këtu nuk ka asgjë dhe nuk mund ta ndaloj atë,” tha Xhemal Mulaj, 50 vjeç.
Roberto së shpejti mund t’i bashkohet 6,000 shqiptarëve që kanë hipur në gomone për të kaluar Kanalin Anglez këtë vit, një rritje e nxitur nga trafikantët shqiptarë që u bënë pjesë e këtij biznesi dikur të dominuar nga kurdët me çmime deri në 3,000 paund, në krahasim me 15,000 paund që shqiptarët paguanin për t’u fshehur në një kamion.
Kontrabandistët dinak i nxisin klientët e tyre të kalonin tani ose do të rrezikonin deportimin në Ruandë, që do të thotë se komunitete të tëra në Shqipëri po shkatërrohen. Në Dobrune janë larguar së fundmi 15 persona, duke lënë pas vetëm 60 banorë, raporton abcnews.al.
Shifrat janë negative për krahinën përreth Hasit, e cila kishte një popullsi prej 17,000 banorësh një dekadë më parë.
“Tetë mijë njerëz nga Hasi tani ndodhen në Londër, 400 të tjerë janë në Francë në pritje të kalimit dhe 33 familje janë larguan vetëm muajin e kaluar. “Zoti i ruajtë,” tha Dylber Geca, kreu i arsimit në Krume, ku një kabinë telefonike e kuqe ndodhet jashtë një kafeneje lokale të quajtur “Britani”.
“Për ne Britania e Madhe është gjithçka,” tha Shefget Douti, kryetar, i cili rrëfeu se një nga djemtë e tij jetonte ilegalisht në Britani.
Të shtyrë nga varfëria e rëndë, shumë njerëz kanë ikur për t’u bashkuar me të afërmit që kanë udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar 20 vite më parë, kur disa pretendonin se ishin refugjatë që po largoheshin nga lufta e vitit 1998 në Kosovë.
Ata shpesh kërkojnë për punë të ndershme, por të rinjtë tani po joshen gjithnjë e më shumë për të punuar në fermat e kanabisit të ngritura nga bandat shqiptare që sot kontrollojnë gjysmën e furnizimit me kanabis të Britanisë, pasi tashmë kanë monopolizuar biznesin e kokainës.
“Shumica nuk synojnë të bëhen kriminelë, por sigurisht që janë të rrezikuar në momentin që hipin në varkë,” tha Fatjona Mejdini, nga Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar.
Në Zahrisht, afër Krumës, një mësues 32-vjeçar i quajtur Festim Dauti ishte më pak i bindur.
“Ata hyjnë në botën e krimit plotësisht të vetëdijshëm se çfarë po bëjnë”, tha ai. “Po humbas studentë të mirë që do të ishin bërë mësuesit dhe mjekët që na duhen për të ndërtuar një të ardhme për Shqipërinë.”
40 vendas kryesisht adoleshentë janë larguar për në Britani gjatë dy muajve të fundit, tha Dauti: 10 për qind e popullsisë së fshatit. Zyrtarët britanikë thonë se bandat e drogës po bëjnë pjesë të tyre edhe personat pa precedentë penalë, për të zëvendësuar 497 shqiptarët e dëbuar vitin e kaluar. Kjo i lejon atyre të kenë punëtorë për shtëpitë e tyre të drogës, me videot e TikTok që tregojnë dhoma të mbushura me bimë kanabisi, raporton abcnews.al.
Një person komentoi: “A keni nevojë për punëtorë?” Një tjetër tha: “Unë mund të vij nesër.”
Fabian Zhilla, një ekspert krimi në Institutin Kanadez të Teknologjisë në Tiranë, tha: “Rekrutimi nuk bëhet nga bosët, por nga këmbësorët, të ashtuquajturit barinj që kujdesen për të mbjellat, të cilët arrijnë te miqtë dhe të afërmit”.
Shqiptarët përbënin 19% të kalimeve të paligjishme në vitin deri në qershor, duke tejkaluar çdo kombësi tjetër. Ideja për t’u larguar ka përfshirë çdo cep të rrugës në Has, ku BMW dhe Audi me targa britanike – shpesh të personalizuara i përkasin djemve që janë kthyer nga Londra.
“Vajzat shqiptare thonë se po presin të provojnë të takohen me një djalë me ‘targë të verdhë’,” tha një banore. McMansions, e ndërtuar nga emigrantët shqiptarë që janë bërë të pasur në Britani mbulojnë peizazhin.
Mejdini tha: “Realiteti është se emigrantët flenë në dyshemenë e shtëpive të kanabisit, të zgjuar nga alarmet vazhdimisht për të ujitur bimët”. Një video tregon një shqiptar, i mbuluar nga gjaku, i cili ishte dhunuar barbarisht; një paralajmërim që pasi të punësoheni, të hiqni dorë nuk është një opsion.
Për të rikthyer shqiptarët, Britania dhe Shqipëria nënshkruan një marrëveshje javën e kaluar për të përpunuar me shpejtësi riatdhesimet. Alastair King-Smith, ambasadori britanik në Tiranë, tha: “Njerëzit po punojnë gjatë gjithë kohës për këtë. Ne synojmë të kthejmë emigrantët në Shqipëri sa më shpejt të jetë e mundur, brenda ditëve dhe jo muajve”.
Ajo që mund të jetë një zgjidhje për Britaninë, mund të krijojë probleme për Shqipërinë pasi më shumë anëtarë të bandës po dërgohen në shtëpi. Trafikantët shqiptarë të drogës me bazë në Britaninë e Madhe tashmë e kanë zakon të konfliktohen me njeri-tjetrin kur kthehen në atdhe, raporton abcnews.al.
Dy bandat konkurruese me origjinë nga Elbasani, të cilat filluan me operacionet e drogës në Birmingham dhe Liverpool si dhe në kontinent, kryen 13 vrasje në shenjë hakmarrje në qytetin e tyre midis 2018 dhe 2021, të shkaktuar nga vjedhja e dyshuar e një dërgese kokaine prej 50 kg në Londra.
“Bandat vrasin në Shqipëri dhe jo në Mbretërinë e Bashkuar, sepse besojnë se mund të paguajnë policinë dhe prokurorët,” tha Klodiana Lala, një reportere krimi.
Një arsye tjetër për t’u frikësuar se aktiviteti i bandave britanike do të përhapet në Shqipëri, për shkak të një amnistie mbi pasurinë e fshehur që po shqyrtohet nga qeveria në Tiranë.
“Ekzistojnë shqetësime të mëdha se një amnisti fiskale mund të shfrytëzohet nga kriminelët për të pastruar paratë e pista, duke përfshirë edhe nga Mbretëria e Bashkuar,” tha King-Smith.
Qeveria britanike tani po përpiqet ta zgjidhë problemin duke i ofruar Shqipërisë deri në 8.9 milionë paund për të zhvilluar rajonin rreth Hasit dhe qytetit të Kukësit me shpresën që njerëzit të mos largohen.
Britania gjithashtu mund të ofrojë para për një digë të re dhe ndërtimin e një burgu. Në Dobrune, Alush Myzyraj, një shofer autobusi shkolle është i shqetësuar se mund të jetë vonë.
“Një herë kam çuar 40 fëmijë në shkollë. Tani po dërgoj tetë, kështu që sapo e lashë punën sepse nuk ia vlen. Të gjithë janë në Britaninë e Madhe, rroftë Britania e Madhe.”
Nxënësit tani po përballen me një shëtitje 90-minutëshe nëpër një rrugë të paasfaltuar për të shkuar në shkollë këtë dimër, tha kryebashkiaku.
“Kur të fillojë bora, do të ketë një tjetër arsye që ata të largohen gjithashtu.”
Ndërsa Britania e Madhe rrit numrin e riatdhesimeve të emigrantëve të paligjshëm shqiptarë, një trafikant i dyshuar droge, të cilit tashmë i është ndaluar hyrja në Britani, po bën bujë në politikën shqiptare.
Fation Dauti, i cili drejtonte një Bentley, iu sekuestrua rezidenca në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2019 pasi Agjencia Kombëtare e Krimit siguroi prova se ai ishte një lojtar kyç në biznesin e kokainës dhe kanabisit në Britani, i lidhur me trafikun e njerëzve dhe i akuzar për dhunë, raporton abcnews.al.
Megjithatë, ai nuk është akuzuar dhe avokati i tij, Hektor Lahi, tha për The Times se Dauti ka deklaruar gjithmonë se është i pafajshëm dhe po kërkon të drejtat e tij. Lahi tha se Dauti, 37 vjeç, po kundërshtonte ndalimin e Mbretërisë së Bashkuar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut me një vendim të mundshëm që pritet të meret brenda tre javësh.
Dhjetorin e kaluar, në Tiranë, Dauti u filmua përballë një turme mbështetësish të ish-kryeministrit Sali Berisha. Në video, ai shihet duke shkelmuar derën e një sallë takimesh në selinë e partisë së Berishës gjatë përleshjes mes fraksioneve rivale të partisë.
Në atë kohë, Partia Demokratike u nda në dy grupe rivale, njëra e udhëhequr nga Berisha, dhe kundërshtarët e tij që kishin mbyllur derën e sallës së mbledhjeve për të mos lejuar që mbështetësit e tij të mblidheshin atje.
“Dauti nuk e përfaqëson partinë në asnjë mënyrë. Ai ishte atje si aktivist”, tha një zëdhënës i partisë.
Vetë Berishës i është ndaluar hyrja në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA për dyshimet se ai është i përfshirë në korrupsion – pretendime që ai i mohon. Ai ka raportuar se Britania e Madhe e ka akuzuar atë për “marrëdhënie me grupet e krimit të organizuar dhe kriminelët që paraqesin rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar” dhe se ai ishte i gatshëm t’i përdorte këto lidhje” për të çuar përpara ambiciet e tij politike./ abcnews
g.kosovari