Kleves Bitro, ish-shefi i kabinetit të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, i dënuar tri herë me burg për abuzime me detyrën, kërkon të përfitojë nga amnestia e fundvitit të kaluar.
Më 29 janar 2016, përmes mbrojtësit të tij ligjor, ai ka depozituar një kërkesë penale për “amnesti” në Gjykatën e Tiranës. Bitro është dënuar për vepra penale të konsumuara gjatë kohës që ministria në fjalë drejtohej nga Spiro Ksera, i arrestuar pak ditë më parë.
Aktualisht, Bitro po vuan dënimet e tij me burg, dy prej të cilëve kanë marrë formë të prerë. Vendimi i tretë në radhë i fajësisë ndaj tij është duke u gjykuar në Gjykatën e Apelit. Për dy vendimet e dënimit të formës së prerë ai duhet të përfitonte nga amnestia, në bazë të Ligjit për Amnestinë,.
Meqenëse institucioni i vuajtjes së dënimit, bazuar në dinamikën e vuajtjes së dënimit prej tij, nuk ia ka llogaritur si dënim të shlyer përfitimin nga amnestia, ai i është drejtuar gjykatës. Kërkesa penale e tij në Gjykatën e Tiranës është regjistruar me numër çështjeje 330 dhe pritet të shqyrtohet nga gjyqtarja Migena Laska. Ish-shefi i kabinetit të ish-ministrit Spiro Ksera është dërguar tri herë si i pandehur në Gjykatën e Tiranës në vitet 2014-2015 për akuzat e “falsifikimit të dokumenteve”, “mashtrimit” dhe “shpërdorimit të detyrës”.
Në të tre gjykimet e nisura ndaj tij, ai është shpallur fajtor. Ish-shefi i kabinetit të Kserës u fajësua për herë të parë nga Gjykata e Tiranës më 25 korrik 2014. I pandehur në një proces ku u gjykuan edhe tre ish-zyrtarë të të njëjtës ministri, Bitro u dënua me 2 vjet e 4 muaj burg për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”.
Ky dënim u zbut gjatë gjykimit të dosjes në Apel, i cili vendosi dënimin 1 vit e 4 muaj ndaj tij. Sipas Gjykatës, Bitro dhe ta bashkëpandehurit e tij kishin abuzuar me një fond prej 19.8 milionë lekësh gjatë procedurave për organizimin e një aktiviteti nga ana e Ministrisë së Punës për festën e 1 Majit.
Pak muaj më vonë, në nëntor 2014, në përfundim të një gjykimi tjetër ndaj tij, Bitro u shpall fajtor për akuzën e “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumenteve” dhe u dënua me 2 vjet burg.
Sipas Gjykatës, ai kishte falsifikuar një fletë shërbimi për jashtë shtetit të një punonjësi të ministrisë, me qëllim përfitimin e dietave. Ky vendim u la në fuqi në Gjykatën e Apelit. Ndërsa vuante këtë dënim, Bitro mori një tjetër dënim me burg më 7 maj 2015.
Ai u shpall fajtor për “shpërdorim të detyrës” dhe u dënua me 10 muaj burg. Sipas Gjykatës, ai i ka dhënë rregullisht pagën një këshilltari në kabinet, i cili gjatë një viti kishte qenë 270 ditë jashtë shtetit dhe 160 ditë në punë. Aktualisht, kjo dosje po shqyrtohet në Apel.