Parafjalë për librin e Irfan Dashit “Kam punuar me Edi Ramën”
Sapo nisa të lexoj librin e Irfan Dashit me titullin “Kam punuar me Edi Ramën”, instinktivisht thashë me vete: “Bobo! I ziu Irfan ç’paska hequr…”
E thashë këtë nisur nga një opinion shumë i përhapur, edhe midis socialistëve që kryeson Edi Rama, që mund të përmblidhet me pak fjalë: Ai është një përbindësh! Shikojeni si vishet! Kryeministër me brekushe! Kryeministër që ka vënë kosh basketbolli në zyrë! I ujdis fjalët sipas rastit dhe kujt i drejtohet, por ai është arrogant dhe prepotent! Megjithatë është punëtor i madh. Ai është i paparashikueshëm. Ai nuk dëgjon kurrkënd! Ai është kontrovers, ku përzihen shijet midis artistit ekstravagant dhe sportistit. Ai këshillon, por nuk pranon këshilla… Ai është… dhe sa e sa etiketime të tjera që shkruhen për të dhe që Rama i di shumë mirë.
Sidoqoftë, ky është një perceptim në distancë për Kryeministrin aktual dhe kryetarin e Partisë Socialiste. Ka dhe nuk ka të vërteta brenda këtij perceptimi.
Pavarësisht se kurrë nuk jam ndikuar nga opinionet e të tjerëve, në momentin që fillova leximin e librit të tij, e thashë atë shprehjen “I ziu Irfan…”. Të punosh mbi njëzet vjet me Ramën është shumë, shumë…
Unë nuk kam qenë dhe nuk jam anëtar i Partisë Socialiste dhe nuk kam punuar asnjë ditë në administratën e Edi Ramës, pavarësisht se e kam njohur atë në kapërcyellin e ndryshimeve të mëdha 30 vite më parë. Kam njohur babain e tij, Kristaqin e Madh të skulpturës monumentale dhe ruaj kujtime shumë të mira nga ai. Edin e çmoj në mënyrë të veçantë për elokuencën dhe mënyrën e shkëlqyer se si e përdor leksikun e shqipes në përballjet me kundërshtarët dhe në daljet para publikut dhe sidomos në shkrimet e tij publicistike. E miratoj për paraqitjen dinjitoze që i bën vendit tonë në tryezat ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë…
Por shok dhe mik i ngushtë me Edi Ramën nuk jam bërë. Përndryshe, ai do të më kujtonte edhe mua në ndonjë sebep si Irfanin me ndonjë kartolinë.
Kjo sa për shaka. Se më mirë e më bindshëm se Irfani nuk do e shkruaja një libër të tillë. E besoj se ai e ka shkruar këtë libër përtej bindjeve të tij, me sinqeritet dhe vërtetësi. Sepse e ka njohur nga afër dhe ka punuar me Edi Ramën.
Megjithatë, le të kthehemi te libri i tij që keni në duar.
Kur disa muaj më parë miku im i vjetër Irfan Dashi më kërkoi t’i hidhja një sy këtij libri që kishte nëpër duar, u befasova. Më erdhi mirë, në radhë të parë. Sepse e dija prej kohësh që Irfani di të shkruajë edhe libra (për këtë jam bindur se kam bashkëpunuar me të disa vite). Të jetë ajo puna e pensionit që po i afrohet?, mendova për një çast. Mundet. Një logjikë normale atje të çon. Irfani ka nisur të bëjë bilancet e punës së tij, pavarësisht se duket si një djalosh dhe ka ende shumë energji për të shpenzuar. Dhe puna më e mirë që ka bërë është shkrimi i një libri të kësaj natyre. Irfani mund të kishte bërë ndonjë marifet, për shembull të ndryshonte vitin e lindjes e ta shtynte edhe ca vite pensionimin e tij. Për më tepër që ka mik Kryeministrin. Kemi raste që ka ndodhur kështu këtu tek ne edhe nga persona me pozita të larta shtetërore. Mirëpo kjo do të thoshte falsifikim dhe falsifikimi është një akt i papranueshëm dhe i dënueshëm për njerëz si Irfan Dashi.
Nejse. Unë e mora me dëshirë dhe e lexova më një frymë librin e tij. Është Irfani brenda faqeve të këtij libri, që nga rrënjët deri te degët, është jeta dhe puna e tij, betejat dhe angazhimet e pareshtura të tij, sidomos në rrokopujën e pas vitit 1990. Është jeta e tij e hapur, e drejtpërdrejtë, pa zbukurime e teprime.
Duket e tepërt në pamje të parë kur ai përshkruan me hollësi fushata zgjedhore ku ka marrë pjesë dhe ku ka qenë protagonist, kur liston kandidatura dhe përqindje votash, situata konfliktuale dhe gara partish të panumërta… Por mendoj se autori i ka vënë ato me një qëllim të caktuar. Do të dalin tani dhe në të ardhmen analistë dhe politologë që do t’u referohen shifrave reale dhe rezultateve zgjedhore. Shifrat nuk të tradhtojnë. Flasin më shumë se komentet. Dhe Irfani, si gjithnjë skrupuloz, kërkon të jetë i saktë deri në fund për ato që thotë dhe shkruan. Shumë mirë ka bërë!
Dikur, me rastin e zgjedhjeve vendore të 1 tetorit 2000, kur Irfan Dashi kandidonte për kryetar të njësisë bashkiake të Kombinatit në kryeqytet, në një paragraf të një shkrimi-portret që bëra, e përshkrova kështu shokun tim: “Ai është një shok me cilësi mjaft të mira, një organizator dhe drejtues i talentuar, një luftëtar konsekuent për institucionalizimin e demokracisë së vërtetë, i njerëzishëm me njerëzit e mirë e punëtorë, me ata që kanë nevojë për përkrahje dhe drejtësi shoqërore, intolerant me batakçinjtë, të korruptuarit, hipokritët dhe mashtruesit e çdo kallëpi”.
Në pjesën e fundit të librit, këto konsiderata i japin pak a shumë edhe miqtë dhe kolegët e tij që e njohin nga afër në jetë dhe në punë. Ky është Irfani që ne njohim. Modeli i një idealisti, i përkushtuar në bindjet e tij të majta dhe luftëtar i paepur. Po të ishte ndryshe, nuk do të thuheshin gjithë ato fjalë të mira dhe vlerësime pozitive për të. Duhet patur parasysh edhe fakti se Irfani ka qenë në pozicione të rëndësishme dhe me ca marifete që tashmë njihen dhe dihen, mund të kishte bërë para të madhe, madje me thasë. Mund të kishte ndërtuar ndonjë vilë në Gjirin e Lalëzit apo diku në bregdet. Tashmë njohim shumë raste të tilla oligarkësh, politikanësh, deputetësh, gjyqtarësh… Por, nuk e bëri dhe nuk e bën këtë Irfani. Përndryshe nuk do të vazhdonte edhe sot e kësaj dite të jetonte në një apartament tejet modest të kohës së Enverit në Kombinat.
Pse e ka nxjerrë Edi Ramën në titullin e librit? Fare e thjeshtë. Unë mendoj se është një gjetje e bukur. Irfani ka qenë i angazhuar fuqishëm në politikë dhe gjatë jetës së tij të vrullshme i ka njohur thuajse të gjithë politikanët shqiptarë. Në këtë libër përmenden qindra emra deputetësh, ministrash, kryeministrash, presidentësh, kryetarë partish, kryebashkiakë e këshilltarë bashkiakë, nëpunës të rëndësishëm të shtetit, militantë dhe qytetarë të zakonshëm me të cilët autori ka njohje personale dhe ka bashkëpunuar. Por mbi të gjithë, më gjatë dhe më nga afër ka punuar me Edi Ramën. Si kryetar i Bashkisë së Tiranës, si kryetar i Partisë Socialiste dhe si Kryeministër. Ndaj dhe një nga pjesët më të bukura të këtij libri, janë disa nga episodet e bashkëpunimit të tij me Edi Ramën në funksionet që ai ka patur dhe ka. Në mënyrën më spontane të mundshme, aty Irfani ka bërë art, ka bërë letërsi. Në ato episode është Edi Rama i vërtetë, sipas Irfanit. Por edhe shumica e atyre që do të lexojnë librin e Irfanit do të jenë në një mendje me të. Biografët e ardhshëm të Edi Ramës mund ta përdorin këtë libër për të pasuruar referencat e tyre për një politikan që realisht ka lënë gjurmë në historinë e këtyre viteve të tranzicionit të gjatë.
Ne shqiptarët përgjithësisht kemi një kujtesë të shkurtër, ndaj dhe jemi mashtruar shpesh nga politikanë ordinerë dhe sjellës fatkeqësish kombëtare. Le të kujtojmë vetëm faktin se si ai si kryebashkiak i Tiranës e pastroi kryeqytetin nga ndërtimet e paligjshme dhe i dha fund periudhës së çoroditur të kioskëzimit. Këtë punë ai do ta vazhdonte edhe si Kryeministër. E, kjo nuk është gjë e vogël, pavarësisht se është vetëm një nga punët që ka bërë. Të gjithë i dimë reformat që ai ka bërë në shumë fusha, të cilat më mirë nga të gjithë mund t’i përshkruajë vetë Rama, kur të ulet e të shkruajë vazhdimin e Kurbanit. Por duhet të presim edhe ca…
Rama në këtë rast përdoret nga autori si pretekst për të bërë analizë, krahasime dhe për të bërë debat me ata që e kontestojnë pareshtur dhe e sulmojnë vend e pa vend Edi Ramën, në një kohë që e njohin sipërfaqshëm ose nuk e njohin fare dhe e kritikojnë nga pozitat e kundërshtarit politik.
Në mënyrë sintetike, Irfani e portretizon kështu Edi Ramën:
“Pavarësisht se të jep përshtypjen se është indiferent apo i pa interesuar për atë se çfarë thotë personi që ka përballë, pasi bën dy a më shumë punë njëherësh (pikturon kur është në zyrë ose komunikon në telefon), ai është një bashkëbisedues i këndshëm dhe i vëmendshëm. Është kënaqësi e privilegj të bashkëbisedosh me Ramën. Qëllimi kryesor në një bisedë është të marrësh dhe të japësh informacion. Dhe këtë e merr me shumicë nga Rama. Ai është një person me shumë dije. Pavarësisht se në dukje paraqitet një zë i rëndë, me një pamje disi agresive, ai është plot batuta e humor.”
Këto fjalë Irfani nuk i shkruan si servil, pasi nuk e njeh servilizmin si ves njerëzor. Me ato episode që tregon në këtë libër nga bashkëpunimi i gjatë me Edi Ramën, debatet, kundërshtitë, miratimet dhe mosbindjen e verbër, ai sa e çmitizon, aq dhe e lartëson figurën e politikanit dhe pushtetarit që ka vënë në qendër të librit të tij. Nuk i intereson autorit që të gjithë të jenë në një mendje me të. Madje, do të ishte e dyshimtë që përshkrimet e Irfanit t’i pëlqejnë të gjithë pa përjashtim. Në fund të fundit jo të gjithë e kanë votuar Edi Ramën, ndonëse janë shumica e këtij populli që e pëlqejnë punën e tij. Dhe këtë e kanë treguar votat që ai ka marrë sa herë janë bërë zgjedhje.
Një gjë që nuk e ka thënë Irfani në këtë libër është një fakt i pakontestueshëm. Irfani dhe Edi janë “armiq” për vdekje me njëri-tjetrin në një fushë që nuk e dinë lexuesit. Le ta marrin vesh: Edi është tifoz me italianët në futboll dhe me Juventusin në mënyrë të veçantë. Irfani është me gjermanët dhe me Bajernin sidomos. Po kritikove gjermanët, bëhesh armik me Irfanin. Aq shumë i adhuron ai ata Bekenbaurët e Gjermanisë, sa iu fut dhe mësoi gjermanishten nja 30 vjet të shkuar… Nuk e di nëse Edi dhe Irfani janë përplasur ndonjëherë për këtë çështje. Nëse po, mendoj se nuk janë marrë vesh me njëri-tjetrin dhe “ndeshja” mund të ketë mbaruar në… barazim. Secili ka mbrojtur bindjen dhe dashurinë e tij për skuadrën e zemrës. Ti në mendjen tënde, unë në mendjen time! Sepse askujt prej tyre nuk ia kthen mendjen si… tifozë futbolli!
Ç’t’i bësh! Kështu janë punët e tifozllëkut. Ndryshe nga politika, në tifozllëk janë të gjithë njësoj. Rëndësi kanë ata që luajnë në fushën e blertë dhe cili ngre kupën e fitores në fund të ndeshjes. Edi Rama, ndryshe nga politikanët e tjerë të këtij tranzicioni, ka avantazhin se ka qenë sportist dhe di ca gjëra më shumë nga ata që luajnë në fushën e politikës.