Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula, duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV pas takimit të grupit parlamentar tha se deputetët janë të unifikuar dhe duan që Alibeaj dhe Berisha të kenë kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale.
Sa i përket primareve, Sula kërkoi që në to të mos votojnë vetëm anëtarë demokratë, por të rritet spektri i votuesve dhe i kandidatëve.
Lidhur me takimin informal të grupit “Alibeaj” deputeti Sula tha:
Tani për të qenë i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë, nuk është se u bë një mbledhje për të diskutuar për çështjen e grupit parlamentar të PD, sepse Alibeaj është kryetar i grupit parlamentar në detyrë. Sigurisht situata nuk është normale, deri diku paradoksale, dhe që mendoj janë ezauruar në shumë debate politike nga politikanë të tjerë qoftë nga Komisioni i Rithemelimit qoftë nga politikanë të tjerë të PD-së. Ajo që më pëlqen është që përgjegjshmëria e të gjithë deputetëve ishte e lartë, sa i përket çështjes si duhet të bashkëpunojmë”.
Ai u shpreh i bindur se do të gjenden urat e komunikimit që dy grupimet e PD të dalin me kandidatë të përbashkët vitin tjetër.
Kemi një garë vitin tjetër dhe nga i pari të i fundit kishte një mendim të unifikuar që duhet të dalim me kandidatë të përbashkët. Nuk e kemi luksin që të humbim asnjë person. Kjo ka të bëjë me vullnetin e dy palëve. Jam i bindur që do gjenden patjetër urat e komunikimit që vitin tjetër të mos jemi një 6 mars i dytë, sepse pastaj nuk e ndaj dot kush e ka fajin. Është si puna e një çifti. Nuk kam informacion për fillim të negociatat. Ka qenë një periudhë gushti, ku politika ka qenë në një heshtje. Kam dyshime të forta që njerëz të caktuar, ose persona të caktuar që s’u bie inati, ose që rrinë stoik në llogore, kjo s’është normale. Për Peqinin dhe Belshin që i kam mbuluar, jam i bindur që do gjejmë kandidatin e përbashkët”.
Duke folur mbi procesin e primareve, Sula u shpreh:
Procesi i primareve parimisht i bën mirë PD-së, por s’janë të përfshirë të gjithë. Mirë do ishte që pjesëmarrja në primare të mos jenë vetëm anëtarët e PD-së, por çdo qytetar. Është tjetër gjë të flasim për 300 anëtarë dhe me 1000 apo 1500 qytetarë që mund të shkojnë të votojnë. Ndikimi te kandidatët do jetë shumë më i vogël. Mund të jetë ogur që t’i bashkojë palët. Ekziston një ngërç që mund të tejkalohet me këtë formë. Mund të jetë lirshmëria që 5 apo 10 kandidatë të merrnin të gjithë pjesë. Kjo formulë mund t’i bënte mirë PD-së. Ka edhe indikacione të tjera që kur të zgjidhet një kandidat, të vlerësohen shumë aspekte. Ka shumë indikacione, partia ka levat e vetë kur merr informacione. Mund të ketë edhe raste ndikimi të madh, ku s’ka mbështetjen e plotë të qytetarëve poshtë. Po s’patë mbështetjen e komunitetit…”
I pyetur nëse ka pasur kontakte me grupin “Berisha”, deputeti Sula tha:
Unë mund t’ju them që në bazë jam person i pranishëm. Në Peqin isha, të shtunën isha në Belsh. Kontaktet janë shumë normale. Konflikti më i madh nuk është poshtë, por është i shtrirë poshtë nga sjelljet lart. Njerëzit do reagojnë edhe do ketë më shumë afrimitet. Por s’e kemi luksin, që të bëhesh shumicë duhet t’i kesh të gjithë. Komisioni i Rithemelimit është shumicë padiskutim. Por kjo shumicë sërish është pakicë, përballë qytetarëve shqiptarë. Nëse nuk merr elektoratin gri, je i destinuar që të dështosh”
Gjithmonë PD ka pasur një defekt madhor, prisnin në fund, të binte gongu që të shpallnin kandidatët. Unë gjithmonë kam kërkuar, do duhet shumë herët, sepse opozita s’e ka luksin të presë deri në fund. Mendoj që z.Berisha është personi më i mundshëm që do elaburojë të gjitha mundësitë për bashkëpunim. Mendoj që të dy palët duhet të lëshojnë nga pak. Lëshimi ka të bëjë me çështje që janë të kalueshme”, shtoi ai.
Lidhur me ligjin për lustracionin, Sula e konsideroi të turpshme për politikën që pas 32 vitesh tallje diskuton ende mbi një çështje të tillë, që sipas tij duhet të ishte mbyllur prej kohësh.
Të flasësh sërish tani pas 32 vitesh për dosjet dhe spiunat s’ka asnjë lloj logjike! Politika këto 32 vite vetëm është tallur me qytetarët. Edhe mua personalisht më vjen turp! Unë kam qenë student i ri, me shpresë ishim të gjithë që 5 apo 10 vitet e para do ishte ndarë shoqëria shqiptare. Të diskutosh tani që Presidenti qenka bashkëpunëtor, nuk e dinin para 7 vitesh, para 20 vitesh. 30 vjet firmos shkresa, Meta, tani qenka Metaj! Kjo është sa qesharake, aq e vajtueshme, e trishtueshme. Nëse ka qenë do iki padiskutim, por nëse është i manipuluar… Duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë sepse është e turpshme”.
I pyetur mbi mundësinë e katapultimit sërish në politikë të ish-kryedemokratit Lulzim Basha, deputeti tha:
Nuk jam nga ato persona që i besojnë rastësisë apo momenteve që mund ta katapultojnë një person në politikë. Basha ka kontributet e veta. Me të mirat dhe të këqijat, ka gjurmët dhe kontributet e veta në PD. Sa i përket katapultimit, unë kam mendim ndryshe. Do thosha të ktheheshim sërish në pikën e konfliktit me demokratët. Koha mund të sjellë ngjarje të reja, nuk mund t’i mohohet sepse s’jemi parti komuniste, s’jam për denigrimin e z.Basha”.
/a.r