Është prezantuar në Gjakovë, abetarja unike me të cilën do të mësojnë nxënësit e klasave të para në Shqipëri dhe në Kosovë.
Në këtë prezantim, ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, që mbajti edhe fjalën e rastit. Kurti theksoi se me abetaren unike, kombi shqiptar ndihet më i bashkuar.
Kreu i qeverisë së Kosovës deklaroi se abetarja unike po materializon frymëzimin e trashëguar ndër breza, për një gjuhë të përbashkët mes shqiptarëve, kudo ata jetojnë.
“E nderuar ministre e Arsimit në Shqipëri dhe në Kosovë, të nderuar autorë të abetares, të nderuar mësues dhe nxënës. Alfabeti ynë i përbashkët do të mësohet në një abetare të përbashkët. Abetarja e përbashkët shërben për një popull që ecën përpara i bashkuar. Fati i shkollës shqipe ka qenë i lidhur me fatin e kombit tonë. Sot kombin tonë e përbashkon edhe kjo abetare unike, kështu po materializohet frymëzimi i trashëguar ndër breza.
Duhet të kujtojmë me nderim të gjithë ata pena që nuk u thyen, por shtruan rrugën e dritës, pavarësisht sakrificave të mundimshme. Jam i lumtur që kemi në dorë abetaren e përbashkët, që u zotuam që ta kemi në mbledhjen e përbashkët të qeverive tona. Do shpërndajmë edhe tekst për gjuhën për shqiptarët në mërgatë. Vetëm bashkë mund të shtyjmë përpara përparimin dhe dijen. Shkolla do të bëjë të mundur edhe edukimin vleror. Udha e shkronjave është e gjatë dhe vështirë, iu qoftë e mbarë rruga e diturisë për ju vogëlushë, nga ky libër përplot diell në fletët e tij”, deklaroi kryeministri Kurti.
g.kosovari