Avokati i Arsen Muskurtit, i cili vrau vëllanë dhe kunatën dy ditë më parë te rruga e Kavajës në Tiranë ka thënë sot në gjykatë se klienti i tij e kishte armën me leje dhe se ka bërë 7 kallëzime ndaj kunatës dhe vëllait të tij.
Sipas avokatit, Suad Idrizi, autori i cili sot u la në burg është vetëdorëzuar ditën e ngjarjes dhe nuk ka tentuar të largohet.
Mësohet se avokati ka kërkuar të kryhet akt ekspertimi mendor për klientin e tij, pasi në vitin 2018 Arsen Muskurti ka marrë mjekime për shkak të gjendje së tij mendore.
Arsen Muskurti mori armën që e mbante në ambientet e biznesit të tij dhe vrau vëllanë dhe kunatën e tij brenda ambienteve të “NOOR Travel”, ndërkohë që më pas fiksohet nga kamerat e sigurisë që largohet me qetësi prej andej.
Arsen Muskurti u arrestua pak orë më pas nga policia, ndërsa arma e krimit u gjet në kasafortën e biznesit e tij dhe jo në një kosh mbeturinash, siç kishte deklaruar.
Ai nuk ka bërë rezistencë gjatë prangosjes. Në operacion për kapjen e Arsen Muskurtit mori pjesë edhe RENEA, për shkak të rrezikshmërisë së tij
Dy bashkëshortët dhe familjari i tyre kishin pasur debate prej kohësh, të cilat u përshkallëzuan deri në krimin e sotëm. Përplasjen më të fundit e kishin pasur para dy ditësh.
Dy vëllezërit kishin qenë bashkëpronarë të Agjencisë së Udhëtimeve, por nga janari i këtij viti Arsen Muskurti nuk ishte më ortak në këtë biznes. Dyshohet që problemet e pronësisë së Agjencisë së udhëtimeve të kenë qenë shkak për konfliktin mes vëllezërve.
Aktualisht Arsen Muskurti kishte një dyqan parfumesh, shumë pranë me Agjencinë e të vëllait.
Por probleme të tjera familjare mund ta kenë rënduar edhe më tepër përplasjen e autorit të krimit më të vëllain dhe bashkëshorten e tij. Dy familjet jetonin në banesa ngjitur njëra –tjetrës, në zonën e Alliasit.
Nga disa shkrime në profilin e FB të autorit Arsen Muskurti, predikues i fesë islame, vihet re se ai akuzonte vëllain Dritanin dhe gruan e tij se përmes profileve false shanin dhe shpifnin kundër tij dhe familjes.
Nga fjalët e ashpra të përdorura në mesazhet e tij, vrasja e dyfishtë duket një krim i paralajmëruar.
Të dy vëllezërit Muskurti kishin nga dy emra, autori Arsen dhe Hamza, ndërsa Dritani mbante dhe emrin Alban.