Arsen Meskurti, autori i krimit të dyfishtë në Tiranë, ku vrau vëllanë dhe kunatën e tij, ka dalë sot para gjykatës, ku iu komunikua masa e sigurisë ‘arrest me burg’.
Në sallën e gjyqit autori është shfaqur për herë të parë në publik pas ngjarjes makabre.
“Kam bërë shtatë kallëzime për vëllanë dhe kunatën. Armën e kam patur me leje. Kallëzimin e fundit e kam bërë ditën e vrasjes”, tha autori i vrasjes së Dritan dhe Nora Meskurtit.
Kujtojmë se ngjarja që tronditi mbarë opinionin publik ndodhi pasditen e 30 gushtit në afërsi të Rrugës së Kavajës. 38-vjeçari pas shumë konfliktesh për çështjes pronësie me të vëllanë dhe një shumë prej 17 milionë lekësh që ky i kishte viktimës, shkoi në agjencinë turistike të 44-vjeçarit dhe e vrau bashkë me të shoqen.
Pas krimit, autori tentoi të arratisej, ndërsa u kap 2 orë më pas, në prani të bashkëshortes së tij dhe të një prej 7 fëmijëve.
/a.r