Agjencia Evropiane e Barnave ka nisur vlerësimin e vaksinës së re të prodhuar nga Pfizer dhe BioNtech, e cila thuhet se do të jetë më efektive kundër Omicron. Këtë e bëri të ditur vetë kompania përmes Twitter, raporton noa.al.
Pfizer dhe BioNTech kanë dorëzuar të dhëna për vaksinat e tyre bivalente të përshtatura ndaj Omicron, jo vetëm tek Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), por edhe autoritetet e tjera rregullatore në mbarë botën. Nuk ka njoftime zyrtare nëse kërkesa ka mbërritur edhe tek autoritetet shqiptare.
Më herët sot, kompania njoftoi se Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dha Autorizimin e Përdorimit Emergjent (EUA) të një doze përforcuese prej 30 µg të vaksinës Pfizer-BioNTech COVID-19, Bivalente (Origjinale [15 µg] dhe Omicron BA.4/BA.5 [15 µg]) për individë të moshës 12 vjeç e lart.
Një aplikim tjetër i Pfizer, për një vaksinë bivalente të përshtatur ndaj Omicron për fëmijët nga 5 deri në 11 vjeç është planifikuar të dorëzohet në FDA në fillim të tetorit.
Nënvariantet Omicron BA.4 dhe BA.5 së bashku janë variantet mbizotëruese shqetësuese në SHBA dhe Evropë.
Për momentin, në Evropë, produktet në dispozicion janë ato të zhvilluara me shtamet e para të virusit, pra ai me origjinën e dyshuar nga Wuhan dhe Alfa.
Nevoja për një vaksinë më të fokusuar u theksua edhe nga OBSH, e cila u bëri thirrje njerëzve t’i nënshtroheshin dozës së katërt.
Doza e katërt apelohet sidomos për të moshuarit dhe të dobëtit. Apeli nuk është i ri, por duket të jetë është i nevojshëm, me afrimin e vjeshtës, rinisjen e shkollave dhe rikthimin në një jetë më të mbyllur.
“Brenda disa javësh, Rajoni Europian pritet të arrijë në 250 milionë raste të konfirmuara të Covid-19 që nga fillimi i pandemisë dy vjet e gjysmë më parë. Me afrimin e vjeshtës-dimrit, ne presim një rritje të rasteve, me ose pa rigjallërim të gripit sezonal në BE”, shpjegoi drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.
Prandaj vijohet me një paralajmërim: “Përparësia tani është administrimi i një doze të dytë përforcuese të vaksinës kundër Covid për më të rrezikuarit, duke përfshirë të moshuarit, individët me imunitet të kompromentuar dhe ata me sëmundje të mëparshme – tha Kluge.
Kurse shtoi: “Ne gjithashtu po u bëjmë thirrje vendeve të administrojnë vaksinën për gripin e cila të jepet së bashku me vaksinën Covid, kur është e mundur”.
Sakaq ndryshon dhe karantina në BE, bëhet vetëm 5 ditë, gjë që në Shqipëri është aplikuar prej kohësh. Megjithatë ky afat përqendrohet kryesisht tek asimptomatikët.
Periudha e përgjithshme e karantinës do të ndryshojë gjithashtu, e cila do të bjerë nga 3 javë (21 ditë) aktuale në 15 ditë. Arsyeja qëndron në gjetjen e infektivitetit më të vogël pas kësaj periudhe kohore me variantin Omicron dhe nënvariantet e tij.
g.kosovari