Nga Eduard Zaloshnja
Në 24 orët e fundit, zhvillova një sondazh elektronik, ku pyetja më kryesore ishte: “Pavarësisht se nuk dihen emrat e kandidatëve për kryebashkiakë, për çfarë kandidati jeni i prirur të votoni?” Të anketuarit kishin 5 opsione për tu përgjigjur: 1-Socialist; 2-Ndoshta socialist; 3-Opozitar; 4-Ndoshta opozitar; 5-Asnjë prej tyre.
Numri i të anketuarve që e plotësuan pyetësorin në rang vendi ishte 2415. Nga këta, 842 ishin banorë të Bashkisë Tiranë. Si kampioni kombëtar, edhe ai i Bashkisë Tiranë u ripeshua statistikisht, për ta përfaqësuar sa më mirë elektoratin demografikisht e politikisht.
NË RANG VENDI
Në rang vendi, 35.5% e banorëve të rritur janë të prirur të votojnë për kandidatë socialistë (30.7% të vendosur); 34.3% janë të prirur për kandidatë opozitarë (29.3% të vendosur); 30.2% nuk duan të votojnë për asnjë kandidat.
Nga një ekstrapolim i përafërt i kampionit kombëtar, rezulton se 35.5% e kampionit që është e prirur për të votuar majtas përfaqëson rreth 745 mijë banorë të rritur; 34.3% e kampionit që është e prirur për të votuar djathtas përfaqëson rreth 720 mijë banorë të rritur; 30.2% e kampionit që nuk don të votojë për asnjë kandidat përfaqëson rreth 635 mijë banorë të rritur.
NË RANG TË BASHKISË TIRANË
Në rang të bashkisë Tiranë, 35.3% e banorëve të rritur janë të prirur të votojnë për një kandidat socialist (30.4% të vendosur); 28.4% janë të prirur për një kandidat opozitar (24.5 të vendosur); 36.3% nuk duan të votojnë për asnjë kandidat.
Nga një ekstrapolim i përafërt i kampionit të bashkisë Tiranë, rezulton se 35.3% e kampionit që është e prirur për të votuar majtas përfaqëson rreth 180 mijë banorë të rritur; 28.4% e kampionit që është e prirur për të votuar djathtas përfaqëson rreth 145 mijë banorë të rritur; 36.3% e kampionit që nuk don të votojë për asnjë kandidat përfaqëson rreth 185 mijë banorë të rritur.