Eurodeputetët do të debatojnë në Strasburg të mërkurën për projektrezolutën për Kosovën, në të cilën mirëpritet nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), si dhe marrëveshja për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe në veçanti atë për formimin e Asociacionit të komunave serbe.
Në rezolutën e propozuar, gjithashtu theksohet se njohja e Kosovës nga pesë vendet e BE-së, që deri tash nuk e kanë njohur, do të ndihmonte në forcimin e stabilitetit në rajon, si dhe në lehtësimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, por gjithashtu do të forconte kredibilitetin e BE-së në politikën e jashtme.
Në rezolutën e Parlamentit Evropian, theksohet shqetësimi mbi mungesën e përparimit në zgjidhjen e fatit të numrit të madh të personave të zhdukur gjatë luftës dhe bën thirrje për një “bashkëpunim të plotë ndërshtetërorë në këtë fushë”.
Në projektrezolutën, të cilën deputetët do ta votojnë të enjten, përshëndetet nënshkrimi i MSA si nxitje e fuqishme për reforma.