Ndonëse të lënë jashtë Komisionit të posatcëm për Reformën Territoriale, demokratët e Sali Berishës e kanë gati vizionin e tyre sesi duhet të jetë harta e re administrative. Report Tv mëson se edhe PD e Rithemelimit, ashtu sikurse më herët janë artikuluar socialistët dhe grupi Alibeaj, janë pro ndarjes së vendit në rajone. Sipas draftit mbi të cilin po punojnë, vendi do të ndahet në 5 rajone.
Sipas burimeve për gazetaren Danjela Maloku, PD e Berishës ka gati edhe emërtimet e këtyre rajoneve. Sipas draftit, ata do të jenë Rajoni i Shkodrës, Rajoni i Arbrit, Rajoni Elbasan-Korçë, Rajoni i Muzakajve, Rajoni i Kanoneve.
Ndërkohë në duar ekspertët kanë kanë 3 versione sesa duhet të jetë numri i bashkive, që variojnë nga 80-90 bashki. Ndërkohë në një intervistë për Report Tv, Sekretari për Pushtetin Vendor të PD së Berishës, Ylli Asllani, thotë se nevoja për ndarjen e vendit në rajone lind natyrshëm, teksa tregon dhe diferencën mes vizionit të tyre dhe socialistëve.
“Shtetet e zhvilluara e kanë kuptuar që rajoni territorial duhet të përputhet edhe me rajone administative. Ky është koncepti që ne kemi pranuar. Ne mendojmë që zhvillimi rajonal është atribut i njësive të pushtetit vendor dhe roli i qeverisë është rol ndihmës kurse pjesa tjetër mendon që bashkitë, njësitë vendore, janë faktorë në sfond.” thotë Asllani.
Nevoja për shtim të numrit të Bashkive lind sipas tij, për të afruar shërbimet te qytetarët, të cilët sipas Asllanit vecanërisht në periferi janë lënë pa shërbime.
“Ne jemi për të dërguar shërbimet sa më afër qytetarëve. Unë e kam thënë edhe më herët, këta morën gërshërën dhe e ndanë kostumin e reformës administrative, sipas preferencës politike”, tha ai.
Por krahas një skice të re, Asllani kërkon një reformë më ambicioze.
“Shteti duhet të ndërhyjë në ndarjen e të ardhurave, jo të gjitha të ardhurat që qeveria merr duhet t’i kalojnë asaj. Taksat kryesore duhet të jenë të ndar si psh yaksa e të ardhurave, pushteti lokal duhet të marrë një përqindje të caktuar, taksa e territorit, e qarkulimit etj. Këtu ka ndodhur cudia më e madhe në momentin që pushteti lokal kishte më shumë nevojë për ndihmë qeveria bën një reformë dhe heq taksën e biznesit që i takon bashkive. Po si do kenë kapacitete kur heq oksigjenin”, u shpreh Asllani.
Punën në komisionin për Reformën Administrative nuk e paragjykon, por thotë se i druhet një skupi parazgjedhor.
“Ne kemi një projekt, ata pra PS, asgjë. Kjo lë shteg për të menduar, se po bëjnë një skup ligjor që i lejon të manipunojnë zgjedhjet. Projekti ynë do paraqitet në parlament, që qytetarët të mos kenë vetëm një dhuratë të sheqerosur,por edhe një alternativë tjetër dhe të zgjedhin mes tyre”, u shpreh Asllani.
PS dhe PD, pa përfaqësues nga grupimi Berisha, kanë nisur prej muajsh punën në Komisionin Parlamentar për Administrative, e pas një periudhe konsultimesh ata duhet të përfundojnë brenda 30 shtatorit hartën e re.
Nese konkludohet ne ndarjen ne 5 rajone te vendit, atehere Shqiperia do te kete 5 zona elektorale per zgjedhjet parlamentare te vitit 2025. Shume afer proporcionalit kombetar!/m.j