Këtë vit ka pasur rritje të pushuesve të huaj në Shqipëri, gjë që kryeministri Rama e shfaq me postime të shpeshta në rrjete sociale. Në Facebook, këtë herë kryeministri Rama postoi një video me pushues në plazhet e Durrësit.
“Sezoni veror në bregdetin shqiptar vijon me fluks të lartë turistësh të cilët kanë zgjedhur të frekuentojnë plazhet e Durrësit, nga Plazhi i Madh, në Currila, në Kallm e Gjirin e Lalzit, ku kanë gjetur më të mirën që mund të kërkojë një turist; nga çmimet e lira, te qetësia, pastërtia dhe shërbimi cilësor. E konfirmuar edhe nga vetë turistët e huaj siç është dhe grupi i të rinjve italianë ???????? nga Pisa, që prej katër vitesh pushojnë këtu: Shqipëria çdo vit ofron gjëra të reja”, shkroi Rama.
Në videon e postuar në faqen e kryeministrit, një grup të rinjsh nga Pisa e Italisë shfaqin mbresat që kanë për Shqipërinë.
“Kemi ardhur nga Pisa dhe jemi në Kepin e Rodonit, për të vizituar këtë vend shumë të bukur që ofron kulturë, ushqim të mirë, njerëz të mirë, resorte të mira dhe det të bukur. Kemi katër vite që vijmë dhe Shqipëria na ofron gjithmonë gjëra të reja, është një vend në zhvillim”, tha pushuesja nga Pisa.
Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, rezulton se 1 milion e 403 mijë e 333 shtetas të huaj kanë vizituar vendin tonë vetëm gjatë muajit korrik, ku rreth 1. 3 milionë shtetas kanë deklaruar se qëllimi i ardhjes në Shqipëri është turizmi, duke përbërë kështu 97% të vizitorëve që kanë ardhur në vendin tonë gjatë korrikut. Numri i shtetasve të huaj që kanë ardhur në vend gjatë pikut të sezonit turistik është 21.1 % më i lartë se një vit më parë.